Një treshe pasaportash aziatike u ofrojnë mbajtësve të tyre liri më të madhe të udhëtimit global se ato të çdo vendi tjetër, sipas një raporti të ri tremujor të publikuar nga firma këshilluese për shtetësinë dhe qëndrimin global me qendër në Londër, “Henley & Partners”.
Qytetarët japonezë gëzojnë akses pa viza në një rekord prej 193 destinacionesh në mbarë botën, pak më shumë se Singapori dhe Koreja e Jugut, qytetarët e të cilëve mund të vizitojnë lirisht 192 vende.
Udhëtimi global tani është në rreth 75% të niveleve para pandemisë. Pas tre vendeve aziatike, një numër i madh vendesh evropiane qëndrojnë pranë majës së renditjes. Gjermania dhe Spanja janë të lidhura në 190 destinacione, të ndjekura nga Finlanda, Italia dhe Luksemburgu me 189.
Më pas janë Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia të gjitha në vendin e pestë, ndërsa Franca, Irlanda, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar janë në vendin e 6-të.
Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara janë në numrin 7, krahas Belgjikës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Republikës Çeke. Ndërkohë Shqipëria renditet në vendin e 51, ku qytetarët janë të lirë të vizitojnë 115 destinacione.