Pasi Qeveria Kurti e shkarkoi nga detyra, lajmërohet Betim Reçica

Betim Reçica, i cili deri më sot ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka thënë Kohës Ditore, se ende nuk e ka pranuar vendimin dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e qeverisë.

Pasi ta pranojë vendimin, do të shqyrtojë dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore.

Ai të mërkurën, me vendim të Qeverisë, ka kaluar në listën tepricë, listë e krijuar pas fuzionimit të ministrive.
Reçica më herët ka pasur përplasje me ministrin e ri të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku për shkak të tenderit për ndërtimin e autostradës së Gjilanit. Bazuar në opinionin ligjor të Zyrës së kryeministrit, Abdixhiku kishte kërkuar nga Reçica që të anulonte tenderin, vlera e të cilit është mbi 100 milionë euro. Megjithatë Reçica përmes shkresës zyrtare që i ka kthyer ministrit, ka thënë se nuk do ta anulojë. Ai në Interaktiv të KTV-së, ka pohuar se stafi civil në këtë ministri është i pakënaqur me punën e Abdixhikut.

Në pozitën e tij, të mërkurën, Qeveria ka caktuar Izedin Bytyqin, i cili më herët ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.