PD kërkoi rinumërimin e votave, Shehaj: Bërtasin për farsë, por duan ta vjedhin mandatin në tavolinë

Pas deklaratave nga Partia Demokratike se do të kërkojnë rinumërim të votave të pavlefshme në Tiranë me qëllim marrjen e mandatit të 14 dhe duke i hequr Mundësisë mandatin e dytë, ka reaguar Agron Shehaj.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Mundësia Agron Shehajt, shkruan se dy mandatet e fituara në mënyrë të ndershme dhe të padiskutueshme në Tiranë janë objekt i një tentative për vjedhje në tavolinë.

Sipas Shehajt, ajo që po ndodh është një përpjekje e dëshpëruar e partive të vjetra që refuzojnë ndryshimin.

Më tej Shehaj thekson se Partia Mundësia do të mbrojë çdo votë të qytetarëve, ashtu siç e ka bërë edhe më parë përballë presioneve politike apo policore.

Postimi i plotë i Shehajt:

Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.

Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.

Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!

E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.