Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ku drejtuesit e saj kanë bërë thirrje për unitet, pjesëmarrje në votime dhe mbështetje për programin e PDK-së në zgjedhjet e së dielës.
Tubimi u hap nga nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili tha se partia po përballet me dezinformim dhe propagandë, duke theksuar nevojën për rikthim te vlerat themelore.
“Në këtë kohë dezinformimi dhe propagande ndaj partisë sonë, kurrë më shumë se sot nuk kemi pasur nevojë të shikojmë nga vetvetja dhe ta gjejmë të vërtetën e pastër të vlerave tona”, tha Ismaili.
Ai shtoi se këto vlera burojnë “nga jehona shekullore e burrave dhe grave që në këtë tokë mbollën barrën e rezistencës dhe që sollën lirinë në këtë vend”.
Sipas tij, ideali i lirisë ishte aq i fuqishëm sa “ndryshoi modelet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe aleanca më e madhe e botës perëndimore u vu në shërbim të kauzës sonë për liri”.
Pas Ismailit, fjalën e mori kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, i cili e cilësoi tubimin si një moment kyç për të ardhmen e vendit.
“Është kënaqësi që sonte po takohemi edhe një herë, në fund të kësaj fushate të mrekullueshme, plot entuziazëm dhe energji, plot ide për zhvillim, për punë e angazhim, për ta bërë Kosovën vend më të mirë, një Kosovë çfarë e meritojmë të gjithë ne”, tha Hamza.
Ai theksoi se tubimi përmbyllës nuk është vetëm fund i fushatës, por edhe fillim i një kapitulli të ri.
“Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për ta përmbyllur fushatën tonë, por edhe për ta hapur një kapitull të ri për Kosovën. Një kapitull të unitetit, të zhvillimit dhe të dinjitetit”, u shpreh ai.
Hamza tha se vendimi i vërtetë për të ardhmen nuk merret në tubime, por në ditën e votimit.
“Vendimi nuk merret në këtë skenë, por merret të dielën, kur të dilni dhe të votoni për numrin 130. Një vendim për një qeveri që i dëgjon qytetarët dhe punon për ta”, tha ai.
Në një pjesë tjetër të fjalimit, Hamza foli për sfidat e vendit dhe rëndësinë e unitetit.
“Sot sfida jonë nuk është më mbijetesa, por drejtimi. Pa unitet nuk ka stabilitet. E pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë. Ndërsa pa qeverisje të mirë, nuk ka paga më të larta, as çmime më të ulëta, as siguri për familjet tona”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, ai prezantoi edhe zotimet konkrete ekonomike të PDK-së, duke premtuar rritje prej 50 për qind të pagave, me arsyetimin se puna duhet të shpërblehet me dinjitet, si dhe rritje prej 50 për qind të pensioneve dhe ndihmave sociale.
“Askush nuk duhet të jetojë në pasiguri”, tha Hamza, duke bërë të ditur se pensioni minimal do të jetë 250 euro.
Ai po ashtu paralajmëroi masa fiskale për lehtësimin e barrës mbi qytetarët.
“0% TVSH për produktet esenciale, që shporta e familjes të jetë më e përballueshme. 0% TVSH për energjinë elektrike, që fatura të mos jetë barrë. Ulje të tatimit në të ardhura, që më shumë para të mbeten tek ju”, tha Hamza.
Sipas tij, këto masa nuk janë thjesht premtime elektorale, por vendime që synojnë përmirësim real të jetës së qytetarëve.
“Këto janë vendime që ua ndryshojnë jetën. Por këto ndodhin vetëm nëse ju dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës”, përfundoi Hamza.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…