Masa e pelegrinëve nisi gjuajtjen simbolike me gurë në drejtim të shtyllave të djallit në Arabinë Saudite të dielën, nën vapën e madhe të verës.
Rituali shënon ditët e fundit të haxhit, ose pelegrinazhin islam, dhe fillimin e festimeve të Kurban Bajramit për myslimanët në mbarë botën.
Gjuajtja me gurë është ndër ritet e fundit të haxhit, i cili është një nga pesë shtyllat e Islamit, raporton AP.
Veprimi erdhi një ditë pasi më shumë se 1.8 milionë pelegrinë u mblodhën në një kodër të shenjtë, të njohur si mali Arafat, jashtë qytetit të shenjtë të Mekës, të cilin pelegrinët myslimanë e vizitojnë për të kryer ritualet vjetore pesë-ditore të haxhit.
Pelegrinët u larguan nga mali Arafat të shtunën në mbrëmje për të kaluar natën e tyre në një vend aty pranë të njohur si Muzdalifa, ku mblodhën guralecë për t’i përdorur në gjuajtjen simbolike të shtyllave që përfaqësojnë djallin.
Shtyllat ndodhen në një vend tjetër të shenjtë në Mekë, të quajtur Mina, ku myslimanët besojnë se besimi i Ibrahimit u sprovua kur Zoti e urdhëroi atë të sakrifikonte djalin e tij të vetëm, Ismailin.
Shumica e pelegrinëve u panë duke mbajtur çadra për t’i mbrojtur nga dielli i fortw i verës.