Gjithnjë e më shumë gjermanë po humbasin besimin në religjion, dhe për herë të parë në historinë e këtij vendi, numri i ateistëve ka kaluar numrin e katolikëve dhe protestantëve së bashku.
Sipas një hulumtimi të ri nga grupi Weltanschauungen, në vitin 2024 është shënuar një rritje e numrit të personave pa përkatësi fetare. Gjermania tani ka 47 për qind ateistë, 45 për qind katolikë dhe protestantë, si dhe 4 për qind myslimanë. Studimi bazohet në të dhënat e Konferencës Ipeshkvore Gjermane dhe Kishës Protestante në Gjermani (EKD).
Duke shpjeguar përse njerëzit po e braktisin fenë, për gazetën Le Monde, Edgar Wunder, bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Hulumtime Shoqërore të EKD-së në Hanover, tha se “arsyeja pse njerëzit po largohen nga Kisha është thjesht fakti se kanë humbur lidhjen me të apo besimin”.
Ai shtoi se rastet e abuzimeve seksuale, veçanërisht ndaj të miturve në kisha, gjithashtu kanë ndikuar fuqishëm në besimin e njerëzve.
“Skandalet e abuzimit seksual ndaj të miturve kanë pasur një ndikim të madh, por sipas mendimit tim, kjo është një dukuri e përkohshme. Ajo që është më e qëndrueshme është fakti që njerëzit thjesht nuk e shohin më Kishën si të nevojshme dhe nuk shohin arsye përse të jenë anëtarë të saj”, theksoi Wunder.
Sipas hulumtimit, në fund të vitit 2024, për herë të parë në Gjermani kishte më shumë njerëz pa përkatësi fetare (47 për qind) sesa katolikë dhe protestantë së bashku (45 për qind).
Numri i katolikëve ka rënë për herë të parë nën 20 milionë, ndërsa ai i protestantëve është rreth 18 milionë. Arsyet kryesore për largimin nga Kisha janë humbja e besimit, pakënaqësia ndaj institucioneve kishtare, por edhe shmangia e taksës kishtare, e cila në Gjermani paguhet automatikisht.
Përveç kësaj, shumë gjermanë nuk i njohin më as traditat bazë fetare, dhe frekuentimi i meshave dhe shërbesave fetare është në nivelin më të ulët ndonjëherë. Kishat po mbyllen, dhe gjithnjë e më shumë njerëz po largohen formalisht nga komunitetet kishtare, ndërsa gjeneratat e reja janë veçanërisht të prira drejt sekularizimit dhe humbjes së identitetit fetar.
Presidentja e Kosova, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen…
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…