Në një klasë të katit të tretë të shkollës “Shotë Galica” në Runik të Skenderajt, pak para mbylljes së votimit, mbrëmjen e 6 tetorit dyshohet se u tentua të ketë keqpërdorime me vota.
Nga një vendvotim ku të drejtë vote kishin 750 persona dhe prej tyre vetëm 299 kishin dalë në votime, u zhdukën 450 fletëvotime të tjera të zbrazëta.
Ato dyshohet se ishin marrë në prani të kryesuesit, komisionarëve e vëzhguesve dhe ishte planifikuar që të plotësoheshin dhe më pas të futeshin në kutitë e votimeve.
Por, siç merr vesh televizioni, ky plan nuk shkoi deri në fund, pasi që dikush e njoftoi policinë, e cila arriti t’i kapte keqpërdoruesit.
Kohavisioni mëson nga burime brenda AAK-së, se i gjithë ky plan ishte kurdisur nga kryesuesi i kësaj klase, Alban Shala, që vjen nga kjo parti, e që tashmë është intervistuar nga Policia e Prokuroria.
Ai dyshohet se kishte për qëllim të siguronte vota për kandidatin e AAK-së, Bekë Berisha. Madje, ai, si duket, ishte marrë vesh edhe me personat e tjerë prezentë në atë klasë për një gjë të tillë dhe dyshohet se u kishte premtuar edhe para.
Kandidati i AAK-së për deputet, Bekë Berisha, ka kthyer një përgjigje për KTV-në, pak minuta më parë.
“Kjo nuk qëndron. Ato vota do të numërohen, pastaj e shohim të kujt janë. Aty ka pasur tendencë PDK-ja me marrë vota, pastaj kanë pasur problem me AKR-në. Sidoqoftë, kjo do të sqarohet. E kuptoj edhe tendencën tuaj për involvimin tim në këtë punë”, ka thënë Berisha.
Televizioni e ka pyetur edhe Alban Shalën për këto pretendime, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Krejt këto keqpërdorime dhe manipulime me votat është duke i hetuar Policia dhe Prokuroria.
“Ju informoj se prokurori i Shtetit ka hapur rast në drejtim të veprës penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” nga neni 217 të KPRK-së. Deri më tani janë intervistuar disa dëshmitarë, si dhe janë duke u grumbulluar informata dhe prova të cilat na shpijnë në drejtim të ndriçimit të rastit në tërësi”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Policia e Skenderajt ka intervistuar disa persona komisionarë dhe vëzhgues që kanë qenë të pranishëm vendvotimin përkatës në qendrën e votimit në Runik, lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale të ‘asgjësimit të dokumenteve të votimit’. Tani pritet edhe ekzaminimi i atyre fletëvotimeve”, ka thënë Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Zyrtarë të degës së AAK-së në këtë komunë, nuk kanë dashur të flasin shumë për detajet e asaj dite, derisa kanë shtuar se Alban Shala nuk u është lajmëruar më në telefon.
Megjithëkëtë, ata kanë thënë se këto veprime e kanë dëmtuar partinë e tyre.
Kërkesë për anulimin e këtyre votave dhe dënimin e kryerësve të kësaj vepre, kanë bërë zyrtarë të LDK-së në Skenderaj.
Ndërsa, jashtë këtij procesi ka mbetur Kuvendi Komunal Zgjedhor, drejtues të të cilit thonë se në asnjërin raport të atij vendvotimi nuk janë njoftuar për këtë çështje.
Të mërkurën, Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi që t’i përfshijë rreth 300 votat e rregullta të këtij vendvotimi në rezultatet përfundimtare.