Tensionet politike në vend janë më të larta se asnjëherë tjetër – përkundër krizës së rëndë me koronavirus. Këto tensione madje del se nuk po kursejnë as familjet kosovare që dikur flisnin në unison.
Së fundi, i vëllai i Gani Gecit, Halili ka sulmuar sërish LDK-në, partinë në të cilën militojnë vëllai i tij, dhe e bija e tij e zgjedhur deputete më 6 tetor, Marigona Geci. Ai e ka quajtur LDK-në si parti “të kapluar nga njerëzit e krimit në krye me Isa Mustafën”, shkruan GazetaExpress.
Halil Geci ka kritikuar LDK-në edhe gjatë janarit të këtij viti. Ai e kishte quajtur Mustafën “kryespiun” derisa e ka lidhur me figurën e Rrahman Morinës – e njohur si një figurë e dëmshme për interesat e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90.
Këto qëndrime të shfaqura hapur nga Halil Geci janë të ngjashme me ato që shprehin simpatizantët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Geci në anën tjetër i mbetet besnik z.Mustafa dhe LDK-së, ndërkohë që e bija e tij Marigona, vazhdon të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Familja Geci ka një histori të gjatë në politikën vendore. Kjo familje ishte bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Dardanisë pas ndarjes së LDK-së në “kuvendin e karrigeve” në vitin 2006. Sidoqoftë, deri para pak muajsh nuk kishte pasur asnjëherë përçarje brenda kësaj familjeje – gjë që tregon nivelin e lartë të përçarjes mbarëshoqërore dhe të gjuhës së urrejtjes që po përhapet nga akterë të ndryshëm politikë gjatë këtyre muajve.