Protesta e zhvilluar të dielën në veri të Kosovës, ku shumë qytetarë kanë dalë dhe janë mobilizuar për të improvizuar një votim pas miratimit të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, ka përfunduar pa incidente.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë KOHËS se pas këtij tubimi, që sipas tij, nuk mund të quhet as protestë, qytetarët janë mbledhur edhe te varri i ish-politikanit Oliver Ivanoviq, ku kanë dërguar lule.
“Tubimi i sotëm që nuk ka qenë as protestë ka përfunduar pas improvizimit të votimit te kutia që ka qenë e vendosur aty. Qytetarët pasi u larguan nga vendi, ka pasur edhe një tubim tjetër që disa qytetarë kanë vendosur lule pranë varrit të ish-politikanit Oliver Ivanoviq. Nuk kemi hasur në asnjë incident gjatë këtyre tubimeve, kanë qenë paqësore”, ka thënë Hoti.
Në mesin e protestuesve të sotëm ishin edhe ministri për komunitete dhe kthim, Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq dhe kryetarët e komunave veriore të vendit.
Të pranishëm në këtë tubim ishin rreth 100 qytetarë serbë, të cilët kishin dalë kundër miratimit të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.