Ratko Mlladiç, ish-Gjenerali i Ushtrisë së “Republikës Serbe” që kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, prej gjashtë ditësh ndodhet në spitalin e Hagës ku është duke marrë trajtime mjekësore.
Gjendja e tij është përkeqësuar ditëve të fundit dhe siç thotë djali i tij, Darko Mlladiç, ai po kalon “çastet më të vështira deri më tani”.
“Gjenerali nuk u ankua asnjëherë dhe e pranoi për herë të parë se e ka të vështirë”, tha ai, transmeton agjencia e lajmeve ‘Srna’.
Ai ka pasuar ankesa lidhur me trajtimin mjekësor të babait të tij nga spitali i Hagës.
“Nuk kemi asnjë detaj për trajtimin, përveç se është ankuar për dhimbje të forta dhe dobësi të madhe dhe gjendja e tij në përgjithësi është e keqe”, është shprehur ai.
Ai theksoi se iu është premtuar se të hënën më 12 shtator do të arrijnë të gjitha rezultatet dhe nga kjo do të varet edhe dërgimi i një ekipi të mjekëve nga Serbia në Hagë.
Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në vitin 2017, e shpalli Ratko Mlladic-in, fajtor për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995 dhe krimet e kryera gjatë viteva të errëta (1992-1995) dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Mlladiç ishte në arrati deri më 25 maj 2011, kur u arrestua në fshatin Lazarevë afër Zrenjanin-it dhe iu dorëzua Tribunalit të Hagës/.