Ishte ministri i Shëndetësisë, që së bashku me udhëheqës të institucioneve shëndetësore, kërkuan mos organizim të aktiviteteve për një periudhë shkaku i pandemisë.
Por, këtë thirrje nuk po e përfillë partia të cilës i takon Vitia.
Lëvizja Vetëvendosje edhe pse është partia që udhëheq me Qeverinë, zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend, po i sheh si të domosdoshme.
Madje, si parti e shohin datën 14 qershor, si të përshtatshme për ta.
Edhe nga Partia Demokratike, vlerësojnë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen.
Por, sipas nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK’së, Memli Krasniqi, kjo duhet të ndodhë pas tejkalimit të pandemisë dhe miratimit të një pakoje të reformës zgjedhore.
Ndërkohë, partitë që po tentojnë formimin e qeverisë së re, thonë se mbajtja e zgjedhjeve nuk ka asnjë kuptim, sidomos në situatën në të cilën ndodhemi.
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur dhe ato kanë dhënë një rezultat.
Nënkryetari i kësaj partie, Muharrem Nitaj thotë se zgjedhjet nuk mund të mbahen sa herë që dikujt nuk i bijnë tamam.
E njohësit e rrethanave politike në vend, vlerësojnë se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte, do ishte e rrezikshme për shëndetin e votuesve.
Por përveç kësaj thonë ata edhe vetë votuesit do hezitonin të dinin në votime.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk e kanë komentuar nëse do të ishte e përshtatshme mbajtja e zgjedhjeve në situatën e tanishme.
Por, ky institucion thotë do t’i përmbush detyrat e veta ligjore dhe kushtetuese.
Ndryshe, ka gati dy muaj që vendi ynë po udhëhiqet nga një Qeveri në detyrë, pasi Qeveria Kurti u shkarkua me mocion mosbesimi të organizuar nga partneri i koalicionit LDK, dhe i mbështetur nga ish koalicioni qeverisës AAK-PDK-NISMA.