Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, që të hënën shkuli mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
LDK-ja ka thënë se veprimet e skandali i VV-së shpalos kriminalitetin e kësaj partie, duke shtuar se ka pazare të brendshme, “të ulëta e të turpshme”.
Reagimi i LDK-së vjen pasi “Nacionale” publikoi një video të hënën ku dëgjohen asamblistë të VV-së duke diskutuar mbi çështjen e Badocit, e ku u përmend edhe kryeministri Albin Kurti. Asamblistët e VV-së, Edmond Azemi e Berat Lahu, qëndruan në sallë për të bërë kuorumin gjatë votim të buxhetit.
“Skandali i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili zbulon pazare të brendshme, të ulëta e të turpshme, të asamblistëve të këtij subjekti në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shpalos qartazi kriminalitetin e LVV-së dhe përbuzjen e hapur që i bën kjo lëvizje kryeqytetit dhe qytetarëve tanë, Këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për ‘ndryshim’ e ‘transparencë’, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve. Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja, që udhëheq Komunën e Prishtinës, ka thënë se ky skandal e demonstron qartë “se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste”.
“Ky skandal demonstron qartazi se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste, që dëmtojnë rëndë interesin publik. U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse të veprojnë pa hezitim dhe të hetojnë deri në fund çdo detaj të kësaj shkelje brutale të standardeve etike dhe ligjore. Vetëm duke dënuar qartë e fort këtë lloj keqpërdorimi mund të mbrohet interesi i qytetarëve”, thuhet në reagim.
Partia e tij reagoi nëpërmjet një komunikate, duke thënë se Qendra në Prishtinë distancohet dhe demanton secilin pretendim të thënë sot nga asamblisti Lahu.
VV-ja ka thënë se Lahu tentoi të arsyetonte veten që theu vendimin e partisë për të mos marrë pjesë në seancë, duke thënë se nëpërmjet tij u tentua të kontrabandohej revidim i planit rregullues “Zona Ekonomike” dhe Plani Zhvillimor Komunal 2024-2032.
“Prandaj ky asambleist sulmon duke formuluar shpifje të kulluara për Kryeministrin Kurti. Jo Kryeministri Kurti, por asnjë zyrtar apo aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në asnjë rrethanë, asnjëherë, nuk ka qenë i përfshirë e as është marrë me çështjen që thekson ky asambleist. E kundërta, falë qendrimeve dhe veprimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është mbrojtur interesi publik”, thuhet në reagim.