Përshkallëzohet lufta, Merz: Kievi ta godasë Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi

Përshkallëzimi i luftës në Ukrainë ka detyruar vendin kryesor të Bashkimit Europian, Gjermaninë të marrë vendimin për të hequr kufizimet ndaj Kievit për të goditur Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi, shkruan A2 CNN. Ky vendim është më i guximshmi nga ana e Berlinit dhe aleatëve të tjerë të Ukrainës të cilat hë parë ishin zotuar të mos e merrnin këtë hap.

“Nuk ka më kufizime në distancën e veprimit për armët e furnizuara Ukrainës”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një forum evropian në Berlin. “As nga britanikët, as nga francezët, as nga ne. As nga amerikanët. Me fjalë të tjera, Ukraina tani mund të mbrohet edhe duke sulmuar pozicionet ushtarake në Rus”, shtoi ai.

Njoftimi vjen pas sulmeve rekord me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë fundjavës. Presidenti rus Vladimir Putin po përballet me presion ndërkombëtar për të pranuar një marrëveshje armëpushimi, përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili është bërë gjithnjë e më i frustruar nga progresi i ngadaltë.

Rusia ka kërcënuar hapur se çdo heqje e kufizimeve për armët me rreze të gjatë veprimi do të thotë luftë me NATO-n. Putini ka paralajmëruar Perëndimin se Moska do ta konsideronte çdo sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët – dhe se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi ashpër njoftimin e Merz të hënën, duke thënë se heqja e kufizimeve ishte “mjaft e rrezikshme”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë, TASS. “Nëse merren vendime të tilla, ato do të shkojnë absolutisht kundër aspiratave tona për të arritur një zgjidhje politike dhe përpjekjeve që po bëhen brenda kornizës së zgjidhjes”, tha ai, sipas TASS.

Ndërkohë bëhet e ditur se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se po shqyrton vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Lajmin e raporton gazeta Wall Street Journal, duke cituar burime të informuara. Presidenti amerikan thuhet se është “i frustruar” nga sulmet e udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin, kundër Ukrainës dhe ritmi i ngadaltë i bisedimeve të paqes. Megjithatë, të njëjtat burime shpjegojnë se nëse Trump do të merrte këtë vendim, nuk ka gjasa që kufizimet të përfshijnë sanksione të reja bankare.