Shqiptarët i kishin hedhur piketat e një gjuhe standarde shqipe që në vitin 1916 me Komisinë Letrare të Shkodrës, e cila u mbështet nga të gjitha qeveritë deri në 1945, kur ky standard u përmbys në mënyrë politike për të vendosur standardin me bazë toskërishten. Gjuhëtari Mehmet Elezi rrëfen në Intervistën me Merita Hakjan, faktet që çuan në njehsimin e drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe pikëpyetjet e Kongresit të Drejtshkrimit.
“Shqiptarët kishin një gjuhë standarde, që nga 1916 ishin hedhur piketa bazë që nga Komisia Letrare e Shkodrës dhe ato po krijonin standard që po përdorej dhe përforcohej në Shqipëri dhe gjeti mbështetjen e gjithë qeverive dhe mbijetoi deri në 1945 ku u vendos në mënyrë politike që të përmbysej ky standard dhe të vendosej një tjetër standard me bazë toskërishten. Komisia Letrare e Shkodrës kishte veçori se morën përfaqësues mendjet më të ndritura të kombit nga të gjitha trevat dhe unë do të thoja që Akademia e Shkencave është Komisia Letrare e Shkodrës. Ata zgjidhën të folmen e Elbasanit dhe jo shkodranishten, por vendosën Elbasanin se ishte si qendër që lidhte të dy dialektet dhe lanë forma të hapura që të shërbente të gjithë. Në 1945 në mënyrë politike u vendos Sejfulla Malshova që ishte ministri i parë që të përmbysej ajo, të vendosej një standard i ri. Nuk është problemi a është standard gegnisht apo toskërisht. Të dy standardet janë shqip, por problemi është që pse e hodh poshtë një arritje e shumëzove me zero dhe fillove gjithçka nga e para dhe pasuritë e Gjuhës Shqipe në dialektin gegë e gjykuan politike”.
“Të lexosh diskutimet në buletin shkencor të 1952, e quajnë gegnishten e Buzukut primitive, gjuhë e përkthyer reaksionare, të fiseve dhe në mënyrë të përmbledhur thuhet Gjuha letrare duhet të jetë e fitimtarëve. Jugu nxori kuadrot më të mëdha dhe gjuha letrare duhet të jetë e jugut.. kjo ide u mbrujt deri në 1972, pastaj u pa që kërciti kjo nuk u formulua në këtë mënyrë iu moderua retorika por politika gjuhësore ishte e njëjta.. U përjashtuan vlera shumë të mëdha të gjuhës shqipe në dialektin gegë. Janë lënë jashtë fjalë të gjuhës shqipe indoveropiane gegë dhe janë futur fjalë me burim sllvav, grek e turk dhe janë pranuar këto dhe jo fjalë me dialekt . mbi 40 mijë fjalë mungojnë në fjalorin e gjuhës shqipe”.
“Mbrojtësit e atij standardi thonë që është kongres shkencor. Po ka pikëpyetje serioze. A mund të quhet shkencor kur nuk shfaq asnjë mendim ndryshe dhe nuk paraqitet asnjë projekt alternativ? Le të krahasojmë Kongresin e Manastirit kur nuk kishte shtet dhe u paraqitën 2 versione; alfabeti i Stambollit dhe ai që u pranua. Aty u diskutua, dhe u morën vesh që cili të zgjedhin shqiptarët dhe fitoi ky që është sot. Ndërsa në kongresin e Drejtshkrimit nuk bëhej fjalë për mendim alternativ. Në 1964 dijetarët e Kosovës, Maqedonisë se malit të zi hartuan ortografinë e gjuhës shqipe mbi bazën e gegnishtes, por aq i afërt me toskërishten se është afër standardit. Në Kongresin e Drejtshkrimit nuk u përmend kjo punë e tyre. Pse nuk u paraqit si projekt alternativ. Jo vetëm që nuk u paraqit por as u zu në gojë. Po të shohësh fjalën e kryeministrit askush nuk e zë në gojë atë projekt”.
“Nuk është rasti të bëjmë festë në nderim të jubileut, por të bëhet bilanc. U bë ky standard, deri ku ka shkuar çfarë arritjesh ka dhe çfarë duhet të ndreqim, ishte një prirje e fshehtë për të lavdëruar politikën e asaj kohe sesa veprimtarinë që i shërben gjuhës shqipe. Ai diskutim i kryeministrit më ka lënë të zbrazët intelektualisht, ishte i dobët për të mos thënë i mjerë. Gjithë diskutimin e tij e ngriti mbi një kundërshtar të paqenë. Unë nuk di njeri serioz që të ketë qenë kundër standardizimit të Shqipëri. Ky lufton me kundërshtarët e standardizimit problemi është kundër mënyrës si u bë standardizimi, kundër hedhjes e përjashtimit të vlerave gjuhësor edhe kundër ngurtësisë së sotme të rretheve akademike për të reformuar gjuhën shqipe”.