Shpronësimet për zonën ekonomike të Malishevës u kanë kushtuar me hetim disa zyrtarëve të ish-qeverisjes së Ramush Haradinajt.
KOHA ka mësuar nga burime brenda Prokurorisë Speciale se tashmë kanë nisur hetime për këtë rast dhe se janë intervistuar disa zyrtarë.
Njëri nga ta është ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e NISMAS, Bajram Hasani.
Ai ka deklaruar se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje, por ka pranuar se ka pasur probleme në këtë proces.
Edhe zëvendësi i tij, Faton Thaçi, siç ka mësuar “KOHA”, është intervistuar për këtë rast.
Thaçi, që është pjesë e NISMAS së Fatmir Limajt, nuk ka kthyer përgjigje.
Për rastin është intervistuar edhe një zyrtar tjetër i kësaj partie, kryetari Malishevës, Ragip Begaj, i cili ka konfirmuar se është marrë në pyetje.
Por, bazuar në dokumentet që i posedon KOHA, çmimi me të cilin Qeveria e Haradinajt planifikonte t’i shpronësonte tokat për zonën ekonomike ishte 7000 fish më i lartë se vlera me të cilën ato toka ishin privatizuar vite më parë.
Metri katror ishte privatizuar në atë zonë për 10 centë, ndërkaq 11 vjet më vonë Qeveria po planifikonte që këtë ta bënte për 7 euro e gjysmë.
Vlera totale që do të paguhej nga buxheti i shtetit për shpronësime për ndërtimin e kësaj zone ishte më shumë se 7 milionë euro.
Shpronësimet nga Qeveria Haradinaj do të bëheshin në 3 fshatra: Banjë, Bellanicë e Senik.
Pjesa më e madhe e kësaj toke që do të shpronësohej ishte privatizuar vite më parë, ku mbi 1000 hektarë në zonën e njëjtë ishin privatizuar për rreth 1 milion euro.
Pronari i kësaj toke që e kishte privatizuar vite më parë, e kishte shitur ose dhënë me qira te personat e tjerë dhe të gjithë atyre planifikohej t’u shpronësoheshin pronat e të ktheheshin në zonë ekonomike.
KOHA ka siguruar aktvlerësimet për pronat dhe vetëm një pronari do t’i shpronësoheshin rreth 500 mijë metra në vlerë të gati 3 milionë e gjysmë.
Qeveria në detyrë, ditë më parë, anuloi vendimin e marrë nga Qeveria Haradinaj për zonën ekonomike të Malishevës, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ligjin.