Kosova synon të krijojë flotën e helikopterëve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve ajrore të mbrojtjes në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Një gjë e tillë planifikohet të bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), përmes një Marrëveshjeje, nisma për të cilën është miratuar tashmë në Qeverinë e Kosovës.
Edhe pse Marrëveshja është në hapat fillestar për shkak se sapo është miratuar nisma për Marrëveshjen kornizë, sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që Kosova gjen përkrahje nga SHBA-ja për mbështetje strategjike, materiale e financiare në fushën e mbrojtjes. Një gjë e tillë ka ndodhur për disa herë me radhë që prej themelimit të FSK-së, qoftë përmes blerjes, donacioneve apo marrëveshjeve.
Ashtu siç u shpreh ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit me Komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, Christopher Donahue, më 12.03.2025, në këtë Marrëveshje parashihet edhe furnizimi me “Black Hawk” – që janë helikopterë të cilët janë përdorur për herë të parë në vitin 1979 në Ushtrinë Amerikane.
Krejt në fillim të këtij viti, ministri Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, e kishin vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”.
“Mes tjerash, marrëveshja adreson edhe çështjen e kapaciteteve ajrore, pra ndërtimin e flotës së helikopterëve, që është një kapacitet i planifikuar për t’u ngritur në FSK”, tha Maqedonci, duke shtuar se kjo Marrëveshje do të fokusohet në planifikimin dhe qeverisjen e mbrojtjes, menaxhimin e resurseve humane dhe të mbrojtjes, si dhe ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake.
Ramadan Qehaja, ish-ushtarak dhe ekspert i sigurisë, vlerëson se miratimi i kësaj nisme për Marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes është tejet e rëndësishme për ne, aq më tepër që në momentin aktual “çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë janë në rend të parë”.
“E, sidomos kur kemi të bëjmë me një superfuqi, siç është Amerika e që sigurisht që do të na ndihmojë në çështje të mbrojtjes dhe sigurisë. Në këtë mënyrë e rrisim gatishmërinë vepruese dhe luftarake të FSK-së”, tha ai.
Në lidhje me flotën ajrore, Qehaja thotë se fillimisht flota duhet të ketë helikopterët që do të blihen ose merren nga SHBA. Kjo, sipas tij, ka rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen ajrore si dhe armatimin që ka të bëjë me këtë sistem mbrojtjeje. Po ashtu, dhe raketat Javelin që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga tanket e armikut, tha ai.
Kurse, Maqedonci, për “Javelin”-ët, tha se janë jemi duke ekzekutuar pagesat për këtë sistem kundërtank.
“Do t’i kemi në kohë në FSK, bazuar në planet për furnizim. Po bëjmë përpjekje që një sasi t’i kemi brenda këtij viti, edhe pse ushtria e Kosovës nuk ka mungesë kapacitetesh kundërtank, pasi kemi blerë edhe më herët sisteme të ngjashme, që janë moderne dhe efikase”, tha Maqedonci në konferencën e mbajtur më 12.03.2025.
Kosova në vitin e kaluar kishte nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
Raketat “Javelin” u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj. Ky mjet luftarak doli shumë efikas në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.
Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.
Amerika, krah për Kosovën për armatim
Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar në mënyra të ndryshme me armatim nga SHBA-ja
Qehaja thotë se hapat drejt një Marrëveshje e tillë janë dëshmi që marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë të mira, dhe superfuqia botërore e sheh vendin si aleat.
“Raportet janë të mira dhe ato si të tilla kanë mbetur. Edhe me ardhjen e Trumpit ne i kemi marrëdhëniet bilaterale në nivel të duhur dhe janë të interesuar që në Kosovë të kenë një aleat siç jemi ne, dhe për këtë arsye ata në ndihmojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha ai.
Në vitin 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 raketave “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kostoja me vlerë 75 milionë dollarë.
“Republika e Kosovës ka kërkuar të blejë 246 raketa Javelin FGM-148F, duke përfshirë 6 raketa fluturuese dhe 24 Njësi lëshimi të Komandës së Lehtë Javelin”, kishte bërë të ditur Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA) në Uashington.
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar kontratë ndërmjet kompaninë amerikane AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Dy vjet më vonë, në vitin 2020, Kosova kishte blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.
Ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Në po të njëjtin vit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për blerjen e katër dronëve për FSK-në në vlerë rreth 11 milionë euro.
Plani për tranzicionin e FSK-së në Ushtri
Shtimi i kapaciteteve të FSK-së hynë në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së në Ushtri. Në Planin e Tranzicionit parashihet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë aktivë dhe 2 mijë e 500 të tjerë rezervë.
Se Kosova ka nisur gjenerimin e opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore, Ministria e Mbrojtjes kishte bërë të ditur në ditët e para të vitit 2025.
Ndër të tjera, Ministri Maqedonci është shprehur se Kosova ka mbështetje nga SHBA-ja për blerjen edhe të sistemeve të tjera, të cilat do të bëhen pjesë e FSK-së në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit, që sipas tij, ky proces do të zhvillohet nga tani deri në vitin 2028.
Me Planin e Tranzicionit, më 2028, FSK-ja pritet të shndërrohet ushtri duke arritur të gjitha kapacitetet operacionale për “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
Procesi i transformimit të FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të Planit dhjetëvjeçar.
Procesi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.
Për sivjet, janë 208 milionë euro buxhet për këtë Ministri. Ndërsa, për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Përndryshe, në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionëshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27.11.2024 në Ditën e Forcës kishte nënshkruar Vendimin për Themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.
“Një Ushtri që për një kohë aq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operancionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore” – kishte thënë Kurti.