Po e bllokon liberalizimin e vizave, eksperti amerikan del me propozim për Kosovën: Bëjani të qartë këtë gjë Francës!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se njeriu që po bllokon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin.

Sipas saj, Darmanin është shkaktar që Franca nuk aprovon heqjen e vizave për Kosovën.

“Problemi nuk është ai dhe këshilltarët e tij, por ministri i Brendshëm. E vështirë”, i është përgjigjur Von Cramon, gazetares gjermane Francizka Tschinderle, pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Evropian, që u mbajt të enjten në Bruksel.

E drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’ia bëjë të qartë Francës se Kosova do të pezullojë dialogun me Serbinë, derisa të zbatohet liberalizimi i vizave.

“Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë Qeverisë franceze dhe cilitdo homolog evropian, se dialogu Kosovë-Serbi me BE-në që shërben si ndërmjetësues është pezulluar, derisa të zbatohet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar ish-zyrtari në Departamentin e Shtetit, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, BE-ja, do të humbë kredibilitetin si ndërmjetësues në dialog, nëse nuk merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“BE-ja humbet kredibilitetin si ndërmjetës nëse nuk mund ose nuk do të ecë përpara me liberalizimin e vizave, i cili u zotua shumë kohë më parë dhe është ende në pritje”, është shprehur analisti amerikan