Friedrich Merz, lideri i konservatorëve gjermanë (CDU), është zgjedhur kancelari i ri i Gjermanisë pas një votimi të dytë në Bundestag, duke përmbyllur një ditë të mbushur me tension dhe pasiguri politike. Në votimin e parë, Merz dështoi të siguronte shumicën absolute, duke mos marrë mbështetjen e duhur për vetëm gjashtë vota, një ngjarje e paprecedentë në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Votimi ishte i fshehtë, ndaj nuk u identifikua saktësisht se cilët deputetë nuk e mbështetën, shkruan A2 CNN. Koalicioni mes CDU/CSU dhe Socialdemokratëve (SPD) teorikisht kishte shumicën e nevojshme, por 18 deputetë nuk votuan siç pritej, duke shkaktuar një krizë të papritur politike.
Pas disa orësh paqartësie, u vendos të mbahej një votim i dytë të njëjtën ditë. Në këtë raund, Merz siguroi 325 vota, duke kaluar kufirin me vetëm nëntë vota. Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, kishte sugjeruar që votimi i dytë të mbahej të mërkurën, por presioni nga brenda partive dhe nevoja për stabilitet politik në Gjermani dhe Evropë e shpejtuan procesin.
Liderët e CDU-së apeluan ndaj ndjenjës së përgjegjësisë së deputetëve, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të koalicionit, Jens Spahn, tha se “e gjithë Evropa, ndoshta edhe bota, po e ndjek këtë votim”. Humbja e parë u cilësua si turpëruese për Merz dhe një sinjal për brishtësinë e marrëveshjes së koalicionit.
Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila doli e dyta në zgjedhjet e shkurtit, kërkoi zgjedhje të reja, duke e quajtur qeverinë e re si një koalicion të dobët dhe të papërkrahur nga votuesit.
Merz tani përballet me sfidën për të konsoliduar qeverinë dhe për të rikthyer besimin brenda koalicionit të tij.