Zyrtari policor Flamur Keka nga fshati Muqivërcë i Kamenicës, është futur sërish në telashe me ligjin. I arrestuar dhe suspenduar më parë, polici 23-vjeçar së fundmi dyshohet se është përfshirë sërish në një incident, që ndodhi më 9 korrik në një kafeteri të Kamenicës. Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se Keka dhe tre të rinj të tjerë, dyshohen se janë rrahur mes vete në kafeterinë ‘Loungebar Moe’.
Derisa ai ka qenë jashtë detyrës zyrtare bashkë me personat B.A., Q.B., dhe A.A., po dyshohen se janë përleshur në kafeteri me njëri-tjetrin, pas një mosmarrëveshje që nisi aty dhe eskaloi në sulm fizik. Si pasojë e goditjeve, katër të dyshuarit pësuan lëndime trupore, për çka u dërguan në Emergjencën e Gjilanit, për trajtim mjekësor, e më pas u shoqëruan në stacion policor.
Por kush është Flamur Keka?
Në nëntor të vitit të kaluar, Keka dyshohej se kishte kanosur me armë zjarri sigurimin e një lokali në rrugën “B”, në Prishtinë, pasi që nuk u lejua që të futej brenda pa rezervim. Ai dyshohet se kishte tentuar të futej me forcë brenda lokalit dhe gjatë konfrontimit me sigurimin kishte nxjerrë një armë zjarri me të cilën ka kërcënuar dy rojet dhe klientët e këtij lokali.
Ai s’ishte prezantuar si polic kur kishte dashur të futej në lokal, e as kur ishte shtrirë përtokë nga kolegët e tij, duke fshehur faktin që është zyrtar policor edhe nga patrulla policore që kishte shkuar për ta arrestuar në vendin e ngjarjes.
Lidhur me këtë rast nga Inspektorati Policor i Kosovës atë kohë kishte rekomanduar suspendimin e tij dhe ndaj tij ishte hapur rasti si “Kanosje”.
Rasti tjetër që u bë publik
Keka është i përfshirë edhe në një rast tjetër që ndodhi në prill dhe u bë viral pasi u publikuan pamjet ku shihet se si e kishte lejuar një vajzë t’ia hapte derën e veturës së policisë dhe ta lironte shoqen e saj. Në pamjet e publikuara ai shihet se si bisedonte me një vajzë, derisa qëndronte i mbështetur në veturën zyrtare të policisë. Për përfshirjen e policit Keka dhe një kolegut të tij në këtë rast ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.