Tridhjetë e pesë vjeçari Ervin Çelahmetoviq nga Priboj i Sanxhakut ka ndërruar jetë, pasi është rrahur në një restorant në qendër të qytetit nga bashkëqytetari Igor Avramoviq (28), përndryshe polic me adresë në Beograd, i cili në kohën e sulmit ishte jashtë detyrës.
Sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, i ndjeri Ervin – një mysliman boshnjak – ishte duke u shoqëruar me miqtë e tij në një kafene, kur Igor, i cili ndodhej në të njëjtin lokal, i është afruar dhe pas një debati të shkurtër ka nisur ta rrahë brutalisht, përcjell Telegrafi.
Pas goditjeve, Ervini është rrëzuar përtokë dhe ka mbetur i palëvizur.
Një ambulancë ka mbërritur shpejt në vendngjarje, por Çelahmetoviq nuk ka mundur të shpëtojë.
E gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë të vendosura brenda lokalit të njohur.
Ndërkohë thuhet se Igor Avramoviq punon si pjesëtar i njësisë speciale të policisë në Beograd dhe gjatë fundjavës ka ardhur në vendlindje.
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë në kërkim intensiv për të dyshuarin, ndërsa dy persona janë ndaluar për intervistim informativ nën dyshimin se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale.