Në kufirin e Jarinjes gjatë ndërrimit të turneve të njësisë speciale policore të Kosovës, është fotografuar një pjesëtar i forcave speciale me një qantë me stemë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që në mediat serbe është interpretuar si infilitrim i FSK-së në trupat që mbikëqyrin mbarëvajtjen e aplikimit të masave të reciprocitetit për targa me Serbinë.
Serbët e kanë kundërshtuar masën e reciprocitetit duke i mbajtur të bllokuara rrugët që shpien në pikat e kalimit kufitar në veri të Kosovës, Jarinë dhe Bërnjak.
Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare me Serbinë, lëvizja është zhvilluar normalisht, duke respektuar masat e reciprocitetit, pra vendosjen e tabelave provuese, për automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë.
Të hënën e 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.
Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.