Policia gjermane bastis shtëpitë e dy shqiptarëve, dyshohen si bashkëpunëtorë të sulmuesit të Vjenës

Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani njoftoi se policia gjermane të mërkurën i ka bastisur vendet e banimit të dy bashkëpunëtorëve të mundshëm të sulmuesit të Vjenës, Kujtim Fejzulai.

Prokurorët thanë se policia i bastisti shtëpitë e shtetasit kosovar, Blinor S., dhe shtetasit gjerman, Drilon G., të cilët dyshohet se nuk e kanë raportuar tek organet e rendit planin për sulm, shkruan Reuters.

Ndryshe, ministri i Brendshëm i Austrisë vitin e kaluar tha se sulmuesi, i cili kishte shtetësi të Austrisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ishte përpjekur që të blente ilegalisht plumba në Sllovaki në korrik të 2020-ës dhe se ky fakt ka qenë i njohur për inteligjencën austriake.

Fejzulai besohet se ishte simpatizues i grupit ISIS. Ai u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë vetëm nëntë minuta pasi kreu sulm në qendër të Vienës. Fejzulai vrau katër persona, ndërsa mbi 20 të tjerë mbetën të plagosur.

Sulmuesi më parë ishte dënuar me 22 muaj burgim për lidhje me një organizatë terroriste, pasi ishte përpjekur që ta kalonte kufirin turk për të shkuar në Siri.