Policia e Kosovës ka publikuar kërkesën për bashkëpunim me qytetarët për ta kapur Enver Sekiraqën, që u arratis ditë më parë.
Sekiraqa nuk u gjet në shtëpi nga Policia e Kosovës në fundjavë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim. Apeli kishte vendosur ta kthente në paraburgim, pasi Themelorja ditë më parë ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.
Ai u dënua në fillim të majit me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza më 2007.
Sekiraqa ishte dënuar edhe dy herë, por rasti ishte rigjykuar.
Për arratisjen e tij kanë reaguar edhe liderë institucionesh, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës e suspendoi gjyqtarin që vendosi t’ia ndryshonte masën për t’u mbrojtur në liri.