Policia ka sqaruar se nga hetimet e saja të derimëtanishme ka konstatuar se ndaj portalit Insajderi.com nuk ka pasur sulm kibernetik. Dje drejtori i Insajderit Parim Olluri ka njoftuar se webfaqja e tyre ka qenë cak i një sulmi kibernetik.
Sipas njoftimit tashmë është lansuar një faqe paralele insajderi.org pasi po pretendojnë se webfaqja origjinale ju është hakuar dhe email-at zyrtare u janë bllokuar.
Webfaqja insajderi.com kishte publikuar një njoftim se themeluesit e portalit Parim Olluri e Vehbi Kajtazi janë larguar nga portali me vendim të aksionarëve.
KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës, për të marrë sqarime rreth rastit.
Sipas Policisë, në bazë të hetimeve që i kanë bërë nuk kanë gjetur dëshmi për sulm kibernetik në këtë portal.
Policia ka thënë se rasti nga ankuesit është pranuar dje më 1 maj ndërsa sipas tyre deri më tani nuk janë gjetur dëshmi se ka pasur sulm kibernetik.