Politikani ekstremist serb kërkon që Kuvendi i Serbisë të themelojë legjislaturën e re në Mitrovicë ose Graqaniçë

Politikani i lëvizjes ekstreme të djathtë nacionaliste “Dveri” në Serbi, Boshko Obradoviç, ka bërë thirrje që seanca e themelimit të legjislaturës së re të Parlamentit të Serbisë të bëhet në Kosovë, raportoi e përditshmja serbe “Danas”.

Madje, ai tha se duhet të “merren vesh” që kjo të ndodh ose në Mitrovicë ose në Graçanicë, “por që duhet të ndodhë në Kosovë është tejet e rëndësishme”, vazhdoi ai.

“Do të ishte gjithashtu një mundësi unike që të 250 deputetët të dislokohen në mënyrë që ata të vizitojnë të gjitha pjesët e Kosovës dhe të shohin drejtpërdrejt se si jetojnë serbët dhe qytetarët e tjerë të Serbisë në Kosovë”, tha ai.

Ata gjithashtu mund të vizitojnë një numër të madh të kishave, manastireve dhe monumenteve historike serbe, të cilat së bashku me siguri do të ndiqen nga mediat vendase dhe ndërkombëtare me vëmendje të madhe”, ka thënë Obradoviç.

Ai gjithashtu thotë se me konstituimin e tij, Kuvendi i Serbisë mund të “refuzojë publikisht” kërkesën e Parlamentit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të kërkojë që negociatat e mëtutjeshme me Kosovën të kthehen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një seancë speciale.