Një tjetër politikan serb nga Kosova është ndalur nga autoritetet serbe të shtunën në pikëkalimin kufitar në Merdarë, gjatë rrugës nga Serbia për në Kosovë.
Pas këshilltares së ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviç, këtë herë liria e lëvizjes nga regjimi serb iu mohua edhe kryetarit të Lëvizjes Qytetare (Odgovor/Përgjigjja), Boban Bogdanoviç’it.
Lajmin e ka bërë të ditur “Odgovor” përmes një cicërime në llogarinë zyrtare në Twitter, ndërsa në një prononcim për rrjetin ballkanik të lajmeve N1, Bogdanoviç theksoi se aryeja e ndaljes “është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
“Takimi ishte shumë konstruktiv”, pohoi Bogdanoviç teksa shtoi se “Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”.
Ndryshe, ndalimi i Bogdanoviç’it vjen një një ditë pasi zyrtarët institucionalë në Serbi ndaluan Trajkoviç’in dhe e mbajtën afër 24 orë në vendkalimin kufitar në Merdarë, e cila më pas ishte transferuar me autoambulancë në Prokuple për shkak të përkeqësimit të papritur të shëndetit të saj.
Megjithatë, Trajkoviç përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi të shtunën se është liruar nga spitali dhe momentalisht është duke marrë trajtime shëndetësore në shtëpi.
Kujtojmë se Bogdanoviç dhe Trajkoviç janë kundërshtarë të Listës Serbe dhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.