Të paktën 13 persona janë arrestuar të martën në Prizren dhe Podujevë pas një aksioni të Policisë në dy lokacione si të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”, derisa organi i akuzës ka njoftuar se 12 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një tjetër, pronar i një biznesi.
“Zyrtarë e ATK-së, dyshohen që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren, ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B (të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një urdhër i përmbaruesit privat për rimbursim të detyruar nga buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore dhe në kërkim janë edhe dy persona tjerë, pronarë të një biznesi në Podujevë.
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara, thuhet se tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.