Presidenca kroate e BE’së deklarohet rreth heqjes së vizave: Kosova në agjendë sapo të krijohen kushtet e duhura

Pavarësisht dritës së gjelbër që iu dha heqjes së vizave nga Komisioni Europian gjatë vitit 2018, qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen. Sipas Presidencës kroate në Bashkim Europian (BE), ka gatishmëri që kjo çështje të futet në agjendë sapo të krijohen kushtet e duhura.

Anulimi i Samitit të BE’së për Ballkanin Perëndimor që ishte planifikuar të mbahet në muajin maj në Zagreb, zbehu edhe më shumë shpresat që një vendim për Kosovën të diskutohet së shpejti.

Teksa ky proces po zvarritet nga Franca e disa shtete të tjera të fuqishme të Unionit, Kroacia si kryesuese e BE’së e ka përkrahur Kosovën dhe disa herë zyrtarisht kanë deklaruar se janë pro heqjes së vizave.

Ndërkaq, në një përgjigje për Gazetën Metro, zëdhënësi i Presidencës së Kroacisë në BE, Bruno Lopandic, ka theksuar se ka gatishmëri që kjo çështje të vendoset në agjendë dhe të merret një vendim.

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar nga koronavirusi, mund t’iu informoj se ekziston gatishmëria që çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të vendosët në agjendë të Këshillit Europian sapo të krijohen kushtet e duhura”, ka thënë Lopandic.

Sa i përket Samitit të Zagrebit si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, njëherit edhe për Kosovën, Lopandic ka thënë se janë në bisedime rreth kohës më të përshtatshme për t’u mbajtur.

“Duke parë krizën me shfaqjen e pandemisë së koronavirusit COVID-19, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe partnerët e tjerë janë në bisedime të vazhdueshme që të gjejnë kohën më të përshtatshme për t’u zhvilluar”, ka thënë ai për Metron.

Kujtojmë se kosovarët tashmë 10 vite janë në pritje që të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen, sidoqoftë, sipas BE’së, Qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës gjatë kësaj dekade dështuan t’i bindin se i kanë plotësuar të gjitha kriteret.

Nga Komisioni Europian që i kanë dhënë dritën e gjelbër heqjes së vizave për Kosovën që nga korriku i vitit 2018, disa herë theksuan se mbeten në vlerësimin e njëjtë, duke e hedhur topin te Këshilli Europian.

Ndryshe, Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa qarkullim të lirë. Negociatat për liberalizimin e vizave filluan nga Parlamenti Europian në janar të vitit 2012.

Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian konfirmoi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret. Ndërkaq, në shtator të vitit 2018 Parlamenti vendosi të fillojë negociata ndërinstitucionale, të cilat janë ende duke vazhduar.