Presidenti iranian: Sanksionet amerikane i kanë kushtuar vendit 200 miliardë dollarë

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se sanksionet amerikane i kanë kushtuar vendit të tij hiç më pak se 200 miliardë dollarë në investime dhe të hyra të jashtme gjatë dy vjetëve të fundit.

Kreu i republikës islamike i bëri këto komente gjatë nisjes së një projekti hekurudhor afër Tehranit. “Irani do t’i kishte fituar 200 miliardë dollarë të ardhura, nëse vendi nuk do të ishte i përfshirë në luftën ekonomike”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione të reja Iranit pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Që nga largimi i Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja vitin e kaluar, eksporti i naftës iraniane në botë ka rënë për 90 për qind, valuta kombëtare ka shënuar humbje të vlerës, ndërsa inflacioni ka shkuar në mbi 40 për qind.

Komentet e presidentit iranian erdhën vetëm disa javë pasi miliona banorë të këtij shteti protestuan kundër vështirësive ekonomike, pabarazisë, korrupsionit, diskriminimit dhe rritjes së çmimit të naftës, shkruan “Free Europe”.