Presidenti i Izraelit Isak Herzog ka kryer vizitën e parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilën nuk e ka bërë më parë asnjë kryetar shteti izraelit, duke shënuar kështu një ditë historike mes dy vendeve.
“Tani jemi duke udhëtuar mbi Arabinë Saudite dhe ne jemi duke bërë histori. ”
Presidenti izraelit, Isaak Herzog mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën duke shënuar edhe vizitën e parë të një presidenti në këtë shtet.
Presidenti Herzog është shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë kësaj vizite dyditore.
Ai u takua me princin e kurorës së Abu Dabit Mohammed bin Sajid Al Nahjan.
Herzog i shprehu udhëheqësit të Emirateve të Bashkuara Arabe mesazhe paqeje dhe bekime për gjithë njerëzit e rajonit.
Kabineti i presidentit njoftoi se ai do të takohet edhe me komunitetin hebre në gjirin arabik gjatë vizitës së tij.
Në muajin dhjetor, kryeministri Naftali Bennett është bërë kryeministri i parë i Izraelit që ka vizituar Emiratet.
Izraeli ka nënshkruar marrëveshje me Emiratet dhe Bahrejnin më 2020 për të krijuar marrëdhënie diplomatike, me ndërmjetësim të ish-presidentit Donald Trump.
Prej atëherë, dy shtetet arabe, dhe vendet fqinje, Egjipti dhe Jordani kanë mbajtur marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Vitin e kaluar, Emiratet kanë hapur ambasadë në qytetin Tel Aviv të Izraelit dhe gjatë kësaj periudhe janë krijuar edhe fluturime direkte mes dy shteteve.
Arsyet ekonomike besohet se janë kryesoret për këtë qasje miqësore, si edhe aleanca kundër Iranit.