Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, e ka kritikuar ashpër gjithë presionin e Greqisë së fundmi ndaj Shqipërisë, sa i takon çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili prej muajsh gjendet i burgosur nën akuzën e shitblerjes së votës gjatë zgjedhjeve të 14 majit.
Gjatë një konference për shtyp, ku Milanoviç foli edhe për tifozët kroatë, të cilët po mbahen të arrestuar në Greqi për trazira në ndeshjen kundër ekipit të Athinës, AEK, ai përshkroi edhe gjithë situatën dhe mënyrën se si nga Qeveria greke ushtrohet presion kundrejt vendeve më të vogla të rajonit.
“Në Greqi nuk po tregohet se ka shtet të së drejtës”, theksoi ai gjatë fjalës. “Në të njëjtën kohë, kryebashkiaku i Athinës ka shkuar për të demonstruar në një fshat shqiptar.
Kjo ndodh për faktin se disa javë më parë, një kandidat me etni greke, për të fituar Bashkinë e Himarës, është zënë duke vjedhur vota.
Dhe ata shkojnë në Himarë për të protestuar me një grup njerëzish të tjerë dhe të kundërshtojnë vendimin. Unë e di shumë mirë çfarë ndodh atje”, tha ai.
Milanoviç, në pikëpamjen e tij, e ka të qartë se ky është presion. Madje, sipas tij, ky është presion i drejtpërdrejtë mbi sistemin gjyqësor shqiptar dhe mbi politikën shqiptare.
Një paralelizëm më tej, ai e bën me tifozët e arrestuar të Dinamos së Zagrebit, për të cilët ai ka kërkuar të lirohen.
Por, në këtë rast, nga pala greke, kjo sjellje është etiketuar si presion ndaj drejtësisë greke.
Përse atëherë, ngre pyetjen Milanoviç, qëndrimi i tij quhet presion ndaj drejtësisë greke, dhe rasti i Shqipërisë dhe çështjes Beleri nuk është i njëjtë?
“Përgjigja ime është se ata janë për t’u sulmuar, sepse atë çfarë po bëjnë, nuk është drejtësi”, e përmbylli ai fjalën.
Eksponentë të lartë të politikës greke janë përfshirë në rastin e arrestimit të Belerit, ku për më tepër, ka pasur kërkesa të drejtpërdrejta edhe në Bashkimin Evropian për ndërhyrje, si edhe kërcënime se progresi i Shqipërisë drejt BE-së mund të cenohet nga ky qëndrim.