Autoritetet në Kinë kanë thënë se ilaçi i përdorur në Japoni për të trajtuar llojet e reja të gripit, ka rezultuar i efektshëm tek njerëzit me COVID-19, sipas të përditshmes britanike The Guardian, duke cituar median japoneze.
Ministri kinez i Shkencës dhe Teknologjisë Zhang Xinmin theksoi se ilaçi Favipiravir, i zhvilluar nga filiali Fujifilm, dha rezultate inkurajuese gjatë provave klinike në Wuhan dhe Shenzhen te mbi 340 pacientë.
“Ai është treguar se ka një shkallë të lartë sigurie dhe padyshim është efektiv për trajtimin,” u tha Zhang gazetarëve.
Rrezet X konfirmuan përmirësimin e gjendjes së mushkërive në 91 përqind të pacientëve të trajtuar me Favipiravir, ndërsa ishte 62 përqind te ata që nuk e morën këtë ilaç.
Fujifilm Toyama Chemical zhvilloi ilaçin në vitin 2014, i njohur si Avignan, por kjo kompani nuk pranoi të komentojë mbi pretendimet kineze.
Aksionet e kompanisë u rritën në 18 mars pas pretendimeve të ministrit kinez.
Mjekët në Japoni e përdorin atë në studimet mbi pacientët që kanë COVID-19. Aplikohet për pacientët që kanë simptoma të buta dhe të moderuara. Ata shpresojnë se kjo do të parandalojë përhapjen e virusit.
Një burim në Ministrinë e Shëndetësisë japoneze theksoi se ilaçi nuk është aq efektiv tek njerëzit që kanë simptoma më të rënda.
“Ne i kemi dhënë Aviganit 70 deri 80 njerëzve. Por nuk duket të jetë aq efektiv kur zgjerohet,” tha një burim për të përditshmen Mainichi Shimbun.
Katër vjet më parë, autoritetet japoneze dërguan Favipiravir për të ndihmuar Guinean që të luftonte Ebola-n.
Përdorimi i tij do të kërkojë miratimin e autoriteteve. Një zyrtar shëndetësor i tha të përditshmes japoneze se mund të ndodhte që në maj, sipas The Guardian.