Zyra e Prokurorit të Specializuar edhe në pjesën e dytë të seancës ka vazhduar me paraqitjen e provave që sipas tyre dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.
Sipas Prokurorit të specializuar, James Pace, që me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat janë maltretuar nëpër stalla kafshësh, teksa vendet e ndalimit siç pretendohet kanë qenë në Kosovë dhe në disa pjesë të Shqipërisë.
“Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, sidoqoftë krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore; pra, ishin të zgjeruara, ishin pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha tutje.
Gjithashtu ZPS-ja, përmend transferimin dhe keqtrajtimin e disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgores.
Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”.
“Mes fundit të prillit të 98-ës dhe 25-26 korrik 9 të paktën, 30 persona u mbajtën të ndaluar në Llapushnik pa proces të rregullt ligjor. Asokohe, shtabi i UÇK-së në Llapushnik ndodhej në një kompleks të rrethuar ku ishte një stallë lopësh, një garazh dhe kishte një pus të rumbullakët në oborr. Të burgosurit në Llapushnik u mbajtën në dy dhoma të ndara të njëjtit kompleks”, thuhet tutje nga Prokuroria.