Ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).
Pas dy dështimeve për ta zgjedhur Kryeprokurorin e ri të PSRK-së, KPK-ja të hënën ka votuar unanimisht që Isufaj me 10 vota të zgjidhet në krye të PSRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në garë për këtë post, bashkë me Isufajn ka qenë edhe prokurori Haki Gecaj, por ky i fundit nuk ka arritur të marr asnjë votë nga anëtarët e KPK-së.
Muaj më parë, Gazeta Insajderi, ka marrë vesh se përkrahjen më të madhe brenda Këshillit Prokurorial e ka pasur pikërisht Blerim Isufaj.
Ai e ka pasur përkrahjen e shumicës së shefave të KPK-së, përfshirë edhe prokuroren Ikramije Bojaxhiu me të cilën ka afërsi shoqërore. Bojaxhiu në të njëjtën kohë është edhe anëtare e KPK-së dhe vota e saj pro Isufajt, mund të përbëjë konflikt interesi, shkruan Insajderi.
Insajderi ka raportuar para disa muajve për një konsensus që ishte arritur brenda Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë së Shtetit. Sipas këtij konsensusi protagonisti i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, Bahri Hyseni, pritej të zgjedhej kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në vend të Blerim Isufaj.
Kurse Blerim Isufaj, nga ana tjetër pritej të zgjedhej kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ai do ta pasojë Reshat Millakun, i cili ka arritur moshën e pensionit.
Kujtojmë se në momentet e fundit nga gara ishte tërhequr anëtarja e KPK-së, Ikramije Bojaxhiu, për të mos ia rrezikuar Blerim Isufajt votat për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Bojaxhiu ka afërsi shoqërore me Blerim Isufajn që atëherë ishte kryesuesi në largim i KPK-së. Kishte ndodhur pikërisht kjo që pati raportuar Insajderi. Personazhi komik i “Dosjes së Shefave”, Bahri Hyseni, ishte zgjedhur kryesues i KPK-së.
Ndërkohë, me votimin e Blerim Isufjt për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale është plotësuar edhe mozaiku i “zaptimit” të Këshillit Prokurorial nga “Klani Pronto”.
Përveç dyshimeve për avansim të parregullt të Blerim Isufajt, ai edhe më herët ka qenë në qendër të kritikave publike, shkruan Insajderi.
Ish-prokurori Elez Blakaj, e akuzonte Blerim Isufajn, për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Sipas Blekajt Isufi i kishte bërë presion që të mos e fuste në aktakuzë ish-ministrin e FSK-së në atë kohë, Rrustem Berishajn.
Blakaj e kishte hedhur këtë akuzë në letrën e dorëheqjes.
“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar Blakaj.
Blerim Isufaj nuk pati komentuar akuzat e Blakajt. Pas mbledhjes së KPK-së ku ishte diskutuar dorëheqja e Blakajt, Isufaj pati thënë shkurt: “Nuk kam koment absolut, nuk ndërhyj kurrë dhe nuk komentoj më tepër”.
Kujtojmë se bashkëshortja e Rrustem Berishës është punësuar në KPK, në kohën sa ajo drejtohej nga Blerim Isufaj.