Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 12 policëve dhe 2 doganierëve, morën ryshfet në pikën kufitare “Qafë Prush”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për mbikëqyrje të kufirit Qafë-Prush dhe 2 zyrtarëve doganorë për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfentit”.

Prokuroria njofton se të njëjtit kanë marrë ryshfet me rastin e kalimit në pikat kufitare “Qafë Prush” duke lejuar kështu hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe kontrolluar.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dymbëdhjetë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’, dhe kundër dy zyrtarëve doganorë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se zyrtarët e lartë ryshfet kanë marrë me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi.