Prokuroria e Shkodrës në një komunikim për mediat ka ndarë më shumë detaje rreth tragjedisë në familjen Arrazi, ku deri më tanë janë gjetur trupat e dy fëmijëve, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijës së tretë.
Prokuroria e qytetit verior ka zbardhur të plotë itenerarin e Alma Arrazit, përpara se të ndërmerrte aktin e rëndë.
Sipas Prokurorisë, nga kamerat e sigurisë pasditen 2 majit Alma Arrazi bashkë me 3 fëmijët ka pirë kafe me kunatën, motrën e burrit. Bashkë me të kanë qëndruar për rreth 2 orë, dhe pasi ka dalë jashtë, e ka informuar se do ta merrte i vëllai me taksi dhe do të shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej.
Prokuroria thotë se deri në këtë fazë janë krijuar ‘dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.
Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, ku dallohet momenti që 39-vjeçarja del me kunatën e saj. Më pas, duket ajo së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perëndimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02 maj.