Sot në Skenderaj në orët e pasdites ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku ka mbetur i vrarë një person dhe dy të tjerë janë plagosur. Personat në fjalë, mes vete kanë qenë kushërinj të afërt.
I gjithë ky konflikt dyshohet se ndodhi për shkak disa problemeve që kishin pasur dy palët për pronë (mexhë) tash e disa vite, e që pas ardhjes së viktimës në atdhe, mërgimtarit Besim Musliu nga Austria, situata ka eskaluar edhe më tej.
Burime të gazetës Nacionale tregojnë se viktima dhe dorasi kishin pasur probleme për pronë, por më pas, dorasi me pretekstin se viktima është duke vozitur shpejt nëpër fshatin Baks, ka shtënë me kallashnikov në drejtim të tij.
“Pse po vozit shpejt me veturë në fshat..”, thuhet se dorasi i ka thënë viktimës.
Dorasin dhe vrasësin i ndan vetëm një mur në mes, ka treguar ky burim i Nacionales, dhe të dy kanë qenë kushërinj të afërt njëri me tjetrin.
Po ashtu, burimi i gazetës Nacionale ka konfirmuar se viktima ka ardhur para pak ditësh në Kosovë për t’i kaluar pushimet.
Ndërkohë, gazeta Nacionale ka biseduar me Dafina Bashollin, kujdestare në Klinikën Emergjente të QKUK-së, e cila ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile.
“Njëri është plagosur me një plumb në anën e majtë, ndërsa tjetri me dy plumba, por gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ajo.
Rastin për e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana.
“Kemi një rast për një mosmarrëveshje rreth orës 19:40, kemi tre të plagosur, një prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerët janë dërguar në QKUK për trajtim. Detaje të tjera rreth rastit nuk dihen ende”, ka thënë ajo.
Vlen të theksohet se po nga ky fshat, vjen edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila për gazetën Nacionale ka konfirmuar se viktimën nuk e ka të afërm.
“Jo, nuk kam asnjë lidhje familjare, janë të lagjes tjetër, ka koincidu me qenë të fshatit tim dhe me të njëjtin mbiemër, por nuk i kemi të familjes, e as të gjakut,” ka thënë ajo.