Natën kritike të 3 janarit 2023, ku mbeti një i vrarë tek “Kobra City”, dikush prej tyre kishte telefonuar djalin e ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, Blerim Hoxhën.
Hoxha në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi” ka treguar se rreth orës 5 të mëngjesit, dikush nga ky lokal e kishte telefonuar për t’i parë kamerat e lokalit, duke aluduar se lokali i tij gjendet përballë atij “Kobra City”.
“Ata kanë mendu që jemi na përball, realisht kanë dashtë një Blerim tjetër me thirr, e kanë thirr gabim edhe e kemi sqaru në Polici edhe ju kemi thanë që në lokacion tjetër jena, komplet ne lagje tjetër”, ka thënë Hoxha.
Tutje, ai ka sqaruar se pasi ka parë kamerat e lokalit, i ka njoftuar të njëjtit se kamerat e lokalit të tij nuk kanë kapur ndonjë përleshje.
Si dhe thotë t’i ketë njoftuar se lokali i tij nuk gjendet përball atij “Kobra City” por në një lagje tjetër.
“Thjeshtë ka thanë më i pa kamerat të lokali, unë nuk disha. Hina e vërtetova që nuk është tek lokali jonë, më thirri prap unë i thash o gabim je se unë kamerat jam tu i pa. Edhe ma nuk më kanë thirr po më doket që e kanë gjetë lokalin tjetër që kanë dashtë me thirr. Ai ka dashtë me thirr një lokal që e kanë përball, Masanej kom mujt me kuptu që ai ka qenë lokal tjetër, ata jon firmë tjetër na tjetër po me emër të njëjtë, vec një parashtresë ata ë kanë veç një gabim ka ndodh në Facebook me sa kom mujt me kuptu”, ka shtuar Hoxha.
Hoxha për këtë telefonat është intervistuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët siç tregon kishin dyshuar se ka bashkëpunuar me të njëjtit.
“Ua kom dhanë telefonin u kom thanë merrne kqyrni a kom diçka. Ata mendojshin mos po njihna me ta, po kurrë në jetë s’jom taku me ta”, ka Hoxha.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga prokurorja speciale, Merita Bina- Rugova nëse kanë arritur të identifikojnë personin që ka telefonuar Hoxhën, si dhe qëllimin e telefonatës.
Por, e kontaktuar përmes telefonit nuk ka pranuar të flas.
Pas rastit, Policia e Kosovës nuk ka arritur të gjejë armën me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja, si dhe pajisjen DVR që ka ruajtur pamjet nga xhirimet e kamerave para lokalit.
I dyshuari kryesor, Dibran Hoxha i vetëquajtur “Kobra”, në seancën e mbajtur më 7 mars rreth fajësisë i është drejtuar të akuzuarit tjetër, Roland Susuri me fjalët “Zotni, keni me pjellë DVR-në, 16 muaj jam tu majt burg, kemi me pjellë DVR-në”.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 20 shkurt 2024 ndaj: Dibran Hoxhës i vetëquajtur “Kobra”, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit.
Në seancën e mbajtur më 7 mars, të njëjtit u deklaruan të pafajshëm.