Lajmi që u dha dje me shqetësim nga mediat e Beogradit, është se diplomati shumë i njohur, sidomos për Ballkanin, Chris Hill, do të zëvendësojë Anthony Godfrey ende pa e mbaruar mandatin e tij, si ambasador i SHBA në Serbi.
I çuditshëm është fakti se aspak ky lajm nuk u diskutua në mediat shqiptare, edhe pse urgjenca e ngjarjeve në veriun e Kosovës, nuk lë shumë hapësirë për t’u marrë me një analizë që shikon më larg.
Por në fakt, ajo që po ndodh sot në veriun e Kosovës, ka shumë lidhje, madje të dorës së parë, me atë që Preasidenti Joe Biden do të dërgojë në Beograd, një nga gurët më të mirë të diplomacisë amerikane- Christofer Hill.
Po përse Hill po dërgohet në Ballkan, e ç’lidhje kanë ngjarjet e fundit me të.
Chris Hill, siç dihet, është peshë e rëndë e diplomacisë amerikane, që u njoh botërisht si kryenegociator gjatë mandatit Obama për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.
Megjithatë, karriera e zotit Hill është shënuar fuqishëm në ngjarjet e Ballkanit në vitet 90. Pasi ka qenë në Beograd si diplomat i ri, ai në 1991 vjen në Tiranë si zëvendës ambasador që hapi selinë diplomatike të Uashingtonit pas 45 vjet ndërprerje.
Më pas shkoi ambasador i SHBA-së në Shkup, e ndër të tjera, ai ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm që së bashku me Richard Hoolbroke, përgatitën negociatat për Kosovën, pra Rambujenë, tekstin e saj që u bë bazë për rezolutën 1244 të OKB-së, e më pas operacionin për çlirimin e Kosovës.
Hill, është një “buldozer” që shtyn çështjen, siç është quajtur ish-shefi i tij, i ndjeri Hollbroke.
Ky diplomat, i cili para dy vjetësh ishte në Tiranë ku dha dhe intervista të ndryshme, deklaroi se është tërhequr, pra në pension dhe jep leksione në një universitet në SHBA si pedagog i jashtëm.
Rithirrja e tij “nën armë”, logjikisht të çon në një përfundim, se bëhet fjalë për një gjë të rëndësishme që e njeh dhe di ta bëjë, më shumë nga të gjithë të tjerët.
E nëse është thirrur, ka shumë gjasa se kjo po ndodh pasi ai do të jetë kryenegociatori i SHBA-së për të mbylur përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, pra marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë.
Gabriel Escobar, që është zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, apo i dërguari special për Ballkanin, Cris Hill-in e ka mentor të tij, ndaj i ka kërkuar ndihmë “ustait” të vjetër për të zgjidhur çështjen.
Pra, në këtë pikë, jemi në zhvillimin final, ku dhe SHBA tashmë e ka formësuar planin për ta mbyllur përfundimisht “konfliktin e ngrirë” në Ballkan.
E si e tillë, edhe ngjarjet që zhvillohen së fundmi, janë lëvizje centrifugale, të provokuara, apo që provokojnë këtë zhvillim të rëndësishëm që pritet së shpejti.
E në këtë aspekt, për marrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duket se qendra bazike e diskutimeve do të jetë statusi i veriut të saj. Ndaj Beogradi po rrotullon gjithçka rreth kësaj çështje, duke bërë që çdo rast; si ai i targave, apo aksioni i djeshëm anti-kontrabandë, të kthehet në një viktimizim dhe kryengritje të njerëzve të veriut.
Duket qartë se në të dy rastet, ka qenë Albin Kurti, që e ka “gërvishtur plagën”, duke provokuar e marrë nismën i pari. Gjasat janë, edhe sipas qëndrimeve në terren, se këtu Kurti nuk është i vetëm, por ka asistencën dhe shtytjen e amerikaneve e ndoshta edhe të Berlinit.
Megjithatë, është e paqartë sesi është plani i Kurtit në këtë pikë, pasi ka shumë gjasa, që operacioni për rikthimin e kontrollit në veri të Kosovës, i cili për 20 vjet ka qenë jashtë kontrollit të Prishtinës, të kthehet në një boomerang. Pasi nga një tentativë për të vendosur kontrollin, mund të shkojmë në hapjen e një zone konflikti, ecila do të kërkojë negociata të tjera për ta zgjidhur atë. Një aksiomë tashmë në diplomaci.
E që do të diskutohet për veriun në negociatat me Serbinë, as nuk ka qari për këtë, por e gjithë puna është sesi do të flitet. Logjika e Asosacionit të komunave që e fut rolin e Beogradit edhe në Deçan e Graçanicë, është natyrisht i papranueshëm.
Por a mos vallë jemi afër një variant të një Asocacioni të Veriut, ku jo më kot gjatë trazirave për targat, “mbiu” tabela në Jarinjë e Brnjak?
E nëse jemi këtu, duket se është më afër variantit “të shkëmbimit të territoreve”, ose dhënia e një statusi autonomie substanciale- veriut.
Ndarja e Zajednicës nga vektori i saj në Perëndim e qendër të Kosovës është realisht një fitore, pastaj se si do të negocohet për katër komunat e veriut, kërkon sërish një strategji mjaft të mirëmenduar.
Por fakt është se Vuçiq, me “vendimin” që shpalli dje se ka marrë për veriun e Kosovës, ka diçka “fakt të kryer”, e këtë natyrisht do ta bëjë duke trazuar pak atë “planin që ai ka folur me amerikanët”. Pasi siç dihet, Vuçiq në këtë është një agjent i dyfishtë mes Moskës dhe Perëndimit.
Në fund të këtij muaji Vuçiq do të vizitojë Rusinë i ftuar nga Putin, i cili e ka bërë të qartë se nuk e lëshon Serbinë dhe Republika Srbska-n. Do ta mbajë fort influencën e tij, ngaqë aty ka edhe dy rrugët e gazsjellësave që furnizon Europën Veriore, e këtu duket se edhe amerikanët kanë rënë dakord.
Po deri ku është pazari për veriun e Kosovës?
Kjo është çështja, ndaj vyen që Prishtina të ketë një strategji të sajën e ta nisë ta debatojë. Natyrisht jo në panelet me Valon Sylën e tallavanë e paneleve të Buzhalës, por në opinion e në shoqërinë politike…/Pamfleti