Supertajfuni Yagi ka shembur një urë në Vietnamin verior, ka njoftuar zëvendëskryeministri Ho Duc Phoc.
Deri më tani, është e paqartë nëse ka pasur viktima nga shembja e urës Phong Chau në provincën Phu Tho.
Por, raportohet se të paktën tre persona janë shpëtuar dhe 13 të tjerë janë të zhdukur, ndërsa 10 vetura kanë rënë në ujë.
Një pjesë e urës 375 metra është ende në këmbë dhe Ho tha se kishte udhëzuar ushtrinë që të ndërtonte një urë të përkohshme sa më shpejt të jetë e mundur.
Bëhet e ditur se Yagi, stuhia më e fuqishme e Azisë këtë vit, ka vrarë të paktën 59 njerëz që kur arriti në Vietnam të shtunën, duke sjellë erëra të forta deri në 203 km/h.
Në ditët që pasuan, stuhia ka bërë kërdi në Vietnamin verior.
Të paktën 44 viktima u raportuan nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet – në mesin e tyre një grua 68 vjeçare, një djalë një vjeçar dhe një foshnjë e porsalindur.
Më shumë se 240 persona janë plagosur, ndërsa rreth 1.5 milionë janë ende pa energji elektrike.
Tajfuni gjithashtu shkatërroi çatitë e ndërtesave dhe shkuli pemët, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Edhe pse është dobësuar, autoritetet kanë paralajmëruar për më shumë përmbytje dhe rrëshqitje dheu ndërsa stuhia lëviz drejt perëndimit.
Në provincën Yen Bai, ujërat e përmbytjeve arritën një metër lartësi të hënën, me 2,400 familje që u zhvendosën në tokë më të lartë ndërsa nivelet e ujit u rritën.
Yagi gjithashtu fundosi dhjetëra anije peshkimi.
Të dielën, personeli i kërkim-shpëtimit gjeti 27 njerëz që po lëviznin në det pasi një duzinë peshkatarë u raportuan të zhdukur.
Gati 50,000 njerëz janë evakuuar nga qytetet bregdetare në Vietnam, me autoritetet që kanë lëshuar një paralajmërim për të qëndruar brenda.
Shkollat u mbyllën përkohësisht në 12 provinca veriore, përfshirë Hanoi.
Ndryshe, para se të godiste Vietnamin, Yagi la 24 të vdekur në të gjithë Kinën jugore dhe Filipinet.
Shkencëtarët thonë se tajfunet dhe uraganet po bëhen më të fortë, më të shpeshtë dhe po qëndrojnë mbi tokë për më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ujërat më të ngrohta të oqeanit do të thotë që stuhitë marrin më shumë energji, gjë që çon në shpejtësi më të larta të erës.