Publikohet video nga brenda shkollës, gabimet fatale të policëve në masakrën e Teksasit

Pamje të publikuara për herë të parë nga brenda shkollës në Uvalde, Teksas, ku humbën jetën 21 persona, 19 fëmijë dhe 2 mësues, tregojnë të gjitha veprimet e gabuara të Policisë. Momenti më dramatik është pa diskutim ai kur kolegët ndalojnë një prej efektivëve, i cili kishte vajzën brenda në ambientet e shkollës, që të futet për të ndërhyrë ndaj agresorit. Më vonë ai mësoi se e bija ishte mes viktimave.

Pamjet, e publikuara të martën nga një media lokale, Austin American Statesman, tregojnë gjithçka ndodhi më 24 maj, kur vrasësi 18-vjeçar, Salvador Ramos, u fut në shkollën fillore dhe nisi të qëllonte në drejtim të nxënësve dhe mësuesve.

Por ndonëse policët u lavdëruan si heronj menjëherë pas ngjarjes, pasi e vranë atentatorin, hetimet e mëvonshme nisën të nxirrnin në pah gabimet e operacionit dhe veprimet e kryera jo sipas protokolleve, që sollën më vonë edhe dorëheqjen e shefit të Policisë.

Sipas pamjeve, efektivët e parë mbërrijnë në shkollë 3 minuta pasi Ramos kishte nisur të qëllonte. Ata do të qëndronin në korridor për gati 70 minuta para se ta vrisnin 18-vjeçarin, i cili ndërkohë kishte shkaktuar një masakër të vërtetë në shkollë.