Muslimanët e Ukrainës dhe Federatës Ruse nuk kanë probleme me njëri-tjetrin, ata janë të bashkuar nga besimi i tyre dhe mësojnë për vëllazërinë, por problemi janë udhëheqësit fetarë, thotë kreu i Shoqatës së Muslimanëve të Ukrainës dhe presidenti i Këshillit të Ulemave nga Administrata e muslimanëve të Krimesë, Suleiman Khayrulaev.
Ky udhëheqës fetar ukrainas tërhoqi së fundmi vëmendjen duke u bërë thirrje muslimanëve të Krimesë dhe Rusisë që të shmangin rekrutim dhe të mos shkojnë në luftë ose vdekje në frontet e Ukrainës.
Khayrulayev ka lindur në Krime, por që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi këtë gadishull ukrainas pas një referendumi që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, ai jeton në mërgim në Kiev, ku shpesh u drejtohet besimtarëve, muslimanëve ukrainas dhe të botës.
“Ky është një krim, ajo që po ndodh në Ukrainë, kushdo që jeton në këtë vend, pa dallim feje, dënon kategorikisht pushtimin e Rusisë dhe thotë hapur se po bëhet një krim i madh kundër këtij vendi”, tha ai sw fundi.
Vullnetar në ushtrinë ukrainase
Gati një për qind e popullsisë së Ukrainës është e besimit islam dhe numri i tyre u pakësua shumë në vitin 2014 kur Krimea u aneksua nga Rusia. Sipas të dhënave të fundit, vetëm në Krime jetojnë 750 mijë muslimanë dhe një numër i madh i tyre janë nën sulmin e mobilizimit rus.
Khayrulayev thotë se në Ukrainë nuk ka një situatë të tillë kur bëhet fjalë për rekrutimin e muslimanëve.
“Mobilizimi në Ukrainë nuk prek komunitetet muslimane në përgjithësi, sepse numri i muslimanëve në këtë vend është i vogël në krahasim me madhësinë e ushtrisë sonë. Mirëpo, duhet theksuar se, sipas njohurive të mia, një numër i madh i muslimanëve hyjnë vullnetarisht në radhët e ushtrisë për të mbrojtur familjet, shtëpitë, bashkëqytetarët, bashkatdhetarët e tyre”.
Nga ana tjetër, rajonet ku komunitetet muslimane janë shumicë në të gjithë Rusinë e kanw pwsuar me më shumë vdekje në Ukrainë. Kjo vlen veçanërisht për rajone të tilla si Dagestan, Bashkortostan, Krime…
“Vërtet nuk e di saktësisht se sa i dëmton dhe sa i dobëson komunitetet muslimane të rajoneve të përmendura. Ajo që mund të them me shumë siguri është se numri i tyre po dobësohet pikërisht sepse shumica e të vdekurve janë nga këto rajone, me përjashtim të Krimesë”, thotë Khayrulayev.
Ndihmë nga vendet muslimane
Kohët e fundit ai tërhoqi vëmendje të madhe me mesazhin e tij drejtuar muslimanëve rusë që të mos pranojnë thirrjen, të refuzojnë rekrutim, të refuzojnë armët, të dorëzohen nëse detyrohen të…
“Unë me të vërtetë shpresoj që muslimanët e Rusisë të kenë marrë parasysh ndonjë nga këshillat e mia, që fjalët e mia të kenë ndikuar tek ata.”
Udhëheqësi i muslimanëve të Ukrainës u bën thirrje vendeve islame dhe komuniteteve muslimane të botës që të ndihmojnë atdheun e tij.
“Do të doja shumë që ata t’i përgjigjen thirrjes dhe të ndihmonin Ukrainën. Ukraina po vuan tani, është nën sulmin e agresionit dhe muslimanët, siç e dikton vetë feja, duhet të ndihmojnë dhe mbështesin të shtypurit”.
Së fundi, ne e pyetëm atë se si janë dhe do të jenë marrëdhëniet midis muslimanëve rusë dhe ukrainas dhe komuniteteve myslimane në të ardhmen.
“Unë besoj se muslimanët e Rusisë dhe muslimanët e Ukrainës nuk kanë probleme me njëri-tjetrin sepse janë të bashkuar në fenë e tyre, në Islam. Problemi janë zyrtarët fetarë, të cilët, nën presionin e autoriteteve të Federatës Ruse, inkurajojnë njerëzit të shkojnë në luftë, u japin armë dhe i dërgojnë në vdekje”.
Kërkojini Zotit t’ju mbrojë
Kujtojmë se në fund të shtatorit, Khayrulayev u bëri thirrje muslimanëve të gadishullit të Krimesë dhe të gjithë muslimanëve që jetojnë në Rusi që të shmangin rekrutim ose të dorëzohen.
Siç njoftoi në Twitter, ai iu drejtua “drejtpërdrejt” muslimanëve të Krimesë, por edhe myslimanëve të Rusisë që nuk duan të marrin pjesë në këtë luftë, atyre që detyrojnë të shkojnë në këtë luftë.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, ai tha: “Para së gjithash, lutjuni Allahut për mbrojtje nga e keqja e këtyre tiranëve”.
Së dyti, ju gjeni mënyra të ndryshme për të shmangur (rekrutim), largohuni nga ky vend, largohuni nga këto rajone dhe sido që të jetë, mos pranoni thirrjet për rekrutim”.
Më mirë pas hekurave
Më tej ai u thotë muslimanëve të Rusisë dhe Krimesë se, edhe nëse marrin një thirrje, “e grisni menjëherë para tyre sepse është më mirë të jeni pas hekurave dhe të zgjidhni këtë rrugë sesa të zgjidhni rrugën e vrasjes”.
“Bëhu si (i dërguari i Zotit) Jusufi i cili tha: ‘O Zoti im, unë e preferoj burgun nga ajo që më kërkohet’. (Kuran 12:33)”
Dhe së treti, nëse ndodh që të gjendeni në këto njësi, dorëzohuni, thotë Khayrulayev dhe shton:
“Gjeni mënyra të ndryshme për t’u dorëzuar dhe do të mbeteni, me ndihmën e Zotit, të gjallë me të gjitha të drejtat tuaja. Ju do të jeni në një tokë të lirë”.
Në fund ai thotë: Por nëse nuk mund ta bësh as këtë, atëherë unë e di ku duhet të gjuash dhe mendoj se edhe ti e kupton të njëjtën gjë…