Moska po fillon një ofensivë politike, ekonomike dhe ushtarake për të forcuar pozicionin e Serbisë. Të tre fushat e përmendura do të jenë gjithashtu tema kryesore që presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të diskutojë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në fund të këtij muaji, raportojnë mediat serbe.
Takimi i dy shtetarëve është caktuar për 24 qershor, kur Presidenti i Serbisë do të shkojë në Moskë, ku do të marrë pjesë në Paradën e Fitores me ftesë të kreut të shtetit rus. Në takimin e 18-të midis Vuçiq dhe Putin, Rusia do të ngrejë çështjen e formave të reja të bashkëpunimit në mënyrë që të ndihmojë dhe forcojë pozicionin e Beogradit, në mënyrë që Serbia të hyjë në një dialog mbi Kosovën sa më fuqishëm, raportojnë mediat serbe, përcjell Reporteri.net.
Para se të takohen Putin e Vuçiq në Moskë, në Beograd më 18 qershor do të qëndorjë ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai me këtë rast do të përgatisë terrenin për takimin e dy presidentëve. Në fokus të kësaj vizite do të jenë bisedimet për Kosovën. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se Serbia ka mbështetje pa ekuivoke nga Rusia.
“Bëhet fjalë për miqësinë strategjike të dy kombeve. Rusia dhe Presidenti Putin kanë treguar se sa e rëndësishme është Serbia për ta edhe gjatë pandemisë. Ata dërguan pajisje e ekspertë, siç thotë Putin, për vëllezërit serbë”, ka thënë Daçiq
Daçiq nuk ka dashur të flasë për detajet e takimeve të ardhshme, por vuri në dukje se Rusia tregon mbështetjen e saj me vepra, siç ishte rasti kur Kombet e Bashkuara ndaluan miratimin e një rezolute që do t’i shpallte serbët një popull që kanë kryer gjenocid.
Analisti politik Dragomir Andjelkoviq pret që çështjet specifike politike që do të diskutohen në mes të Vuçiq e Putin në Moskë, do të jenë Kosova, por edhe ruajtja e Republika Srpskas dhe pozita e serbëve në Mal të Zi.
Përveç temave politike, ato që do të diskutohen në Moskë, do të jenë edhe lëvizjet konkrete që do të përmirësojnë bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak midis dy vendeve.
“Ushtrimet e përbashkëta ushtarake dhe trainimi shtesë i ushtarëve tanë janë tema që do të diskutohen më shumë kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ushtarak”, thotë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq.
Sipas tij, Serbia ka investuar shumë gjatë viteve të fundit dhe ka blerë shumë armë.
“Serbia po blenë pajisje me të cilat forcoi fuqinë e saj mbrojtëse. Ne tashmë morëm atë që donim. Mund të presim mbështetje të mëtejshme nga Rusia, përmes ushtrimeve të përbashkëta në parashutizëm, aviacion dhe këmbësori”, ka thënë Radiq.
Bujqësia dhe industria ushqimore janë përparësi në përmirësimin e bashkëpunimit tashmë të mirë ekonomik midis Serbisë dhe Rusisë, thekson ekonomisti Mladjen Kovaceviq. Ai deklaroi se fushat kryesore si energjia janë përshtatur kryesisht dhe se nuk ka vështirësi në bashkëpunim.
“Vëmendja tani është përqendruar në industrinë e agrobiznesit. Rusët janë të interesuar për frutat dhe perimet tona, grurë, elb, misër … Ekziston edhe interes për produktet ushqimore të gatshme që ne bëjmë, dhe rusët janë të interesuar për investime në mënyrë që të rrisin kapacitetet prodhuese në atë segment”, ka thënë Kovaceviq.
Sipas tij, duhet të pritet që turizmi dhe ardhja e mysafirëve rusë në Serbi të jetë në rendin e ditës.