Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një ligj i cili lejon qeverinë të marrë masa të veçanta ekonomike.
Kjo, për të mbështetur Forcat e Armatosura gjatë “operacioneve të tyre kundër terrorizmit dhe të tjera jashtë vendit”.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore “TASS”.
Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të informacionit ligjor.
Qeveria ruse është e autorizuar të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për forcat e armatosura, duke përfshirë “riaktivizimin e përkohshëm të kapaciteteve dhe objekteve të mobilizimit” dhe “zhbllokimin e aseteve materiale rezervë shtetërore”.
Ai gjithashtu lejon klientët shtetërorë – Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Situatave të Emergjencave, Gardën Kombëtare, Shërbimin Federal të Sigurisë dhe Shërbimin Federal të Mbrojtjes – të zgjerojnë ose zvogëlojnë volumin e mallrave dhe shërbimeve brenda kontratave të tyre.
Ndërkohë, personat juridikë nuk do të mund të refuzojnë kur lidhin marrëveshje dhe kontrata për dërgimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve për forcat ruse.
Sipas legjislacionit të ri, do të mundësohet edhe vendosja e kushteve të ndryshme të punës për punonjësit në organizata të caktuara, duke përfshirë punën gjatë pushimeve, natës dhe fundjavave.