Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë me dije se do të njohë pavarësinë e rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore – Donetsk dhe Luhansk.
Kjo deklaratë u bë pas përfundimit të takimit të Këshillit të Sigurimit presidencial, i cili po zhvillohet në të njëjtën kohë kur perëndimorët i druhen një pushtimi të Ukrainës nga Rusia.
“Ukraina moderne u krijua plotësisht nga Rusia”, tha Putin në fjalimin e tij.
Deklarata e Putin-it vjen pas deklaratave televizive të liderëve separatistë, të cilët iu lutën presidentit rus t’i njohë ato si shtete të pavarura. Dhoma e ulët e Rusisë bëri të njëjtën kërkesë javën e kaluar.
“Udhëheqësit francezë dhe gjermanë shprehën zhgënjim pasi dëgjuan vendimin”, u tha nga Kremlini zyrtar.
Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov konfirmoi bisedimet me homologun e tij amerikan në Gjenevë të enjten e 24 shkurtit.
Presidenti rus sqaroi fillimisht se mbledhja e zgjeruar dhe e jashtëzakonshme u thirr për të diskutuar situatën në Donbas.
Sipas Putin-it, nëse Ukraina do të anëtarësohet në NATO, “kërcënimet ndaj Rusisë do të rriten disa herë”.
Rusia i ka kontrolluar dhe armatosur të dyja rajonet që nga shpërthimi i luftimeve në Ukrainën juglindore pas një revolucioni në Kiev në vitin 2014.
Ukraina ka thënë se do të kundërshtojë çdo vendim të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve dhe do ta njohë këtë veprim si një vendim rus për të dalë nga marrëveshjet e Minskut, marrëveshja e paqes e nënshkruar në vitin 2015 që duket pranë kolapsit.
Vendimi ose mund të ngrijë konfliktin në Ukrainën juglindore ose ta rindez atë, në varësi të reagimit ukrainas dhe nëse Putin kërkon të marrë territore të tjera.