Mediat ruse kanë raportuar se Vladimir Putin ka urdhëruar një armëpushim të përkohshëm në luftën në Ukrainë për të lejuar njerëzit të festojnë Krishtlindjen Ortodokse.
Lideri i Kremlinit i ka bërë thirrje Kievit që të respektojë armëpushimin, i cili pritet të zgjasë 36 orë, nga ora 12:00 e 6 janarit, deri në mesnatën e 7 janarit.
“Kam marrë parasysh apelin e patriarkut Kirill dhe se në zonat e luftës jetojnë një numër i madh qytetarësh ortodoksë. Ne i bëjmë thirrje palës ukrainase të shpallë armëpushimin”, tha Putin.
Më herët, ishte patriarku Kirill, i cili bëri thirrje për armëpushim. Vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, foli për nevojën që agresioni nga Rusia të marrë fund gjatë këtij viti, ndërsa nuk i kurseu falenderimet për vendet e NATO-s që po e furnizojnë me armë. Megjithatë lufta ka pak gjasa që të marrë fund së shpejti, me raportimet e shumta në qarkullim se Moska po përgatitet për një përshkallëzim të gjerë ushtarak në Shkurt.