Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik tha se nuk di se si ta komentojë vendimin e SHBA-së për ta sansionuar atë dhe televizionin “Alternativa”.
Sipas tij, ky vendim është “i pakuptimtë”.
“Ndoshta gjëja e parë që ju bie në sy është koha e shpalljes së këtij vendimi, pra në prag të festës më të gëzuar të të Krishtlindjes. Historikisht ne si komb jemi sulmuar në festa të mëdha dhe e di që ata që qëndrojnë pas këtij vendimi e dinë. Gjëja e dytë që më vjen në mendje është se një vend që krenohet me të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias ka sanksionuar median”, tha Dodik, raporton gazeta boshnjake, Dnevni Avaz, transmeton Gazeta Express.
Dodik e cilësoi vendimin si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë. Ai tha se nuk e di pse u ndëshkua.
“Për herë të parë më thanë se po e shkel Dejtonin, pa thënë se ku e kam shkelur Marrëveshjen e Paqes. Tani, siç dëgjoj, akuzohem edhe për korrupsion dhe kundër meje nuk po zhvillohet asnjë procedurë penale për korrupsion në BeH dhe askund në botë”, tha Dodik.
Ai tha se nuk e ka rrezikuar rendin kushtetues të Bosnjës dhe stabilitetin e saj, ndonëse s’ka shumë kohë që nisi veprimet konkrete për kalimin e disa kompetencave shtetërore në nivel të Republika Srpskas, gjë që shprehte vendosmërinë e tij për shpërbërjen e Bosnjës, transmeton Express.
Ai theksoi se nuk e vuri në pikëpyetje rendin kushtetues në BiH apo stabilitetin e tij dhe se mbetet e paqartë se çfarë kishin parasysh krijuesit e këtyre sanksioneve kur vendosën ta ndëshkonin përsëri.
“Këto janë sanksione që u lobuan nga disa zyrtarë amerikanë, të cilët nuk e ndajnë vizionin e Bosnjës siç e kam unë dhe siç është nënshkruar në vitin 1995. Nëse mendojnë se do të më disiplinojnë kështu, gabohen rëndë. Vetëm tani kam një motiv të ri për të luftuar për të drejtat që na janë hequr prej 26 vitesh”, tha Dodik.
“Kam frikë se gjithçka që ata bënë është e vogël për të më penguar, sepse unë nuk jam zgjedhur për të përfaqësuar amerikanët, por interesat e popullit të Republikës Srpskas. Përderisa do të jem i angazhuar në këtë çështje do të jetë kështu”, u shpreh Dodik.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sot për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik. Siç thuhet në njofim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.
Së fundmi, Dodik kërcënoi hapur se do ta ndalojë punën e organeve gjyqësore shtetërore në territorin e Republika Srpskas dhe se ligjet e RS do të miratohen brenda një muaji për t’i legalizuar përpjekjet e para konkrete për shkëputjen nga Bosnja.