Qytetarët ankohen për dyfishim deri në trefishim të faturave të energjisë

Faturat e energjisë për muajin dhjetor kanë nxitur reagime të shumta të qytetarëve, të cilët përmes rrjeteve sociale janë ankuar në drejtim të KESCO-s për dyfishim deri në trefishim të tyre.

Ata kanë shprehur dyshimet nëse ka pasur rritje të çmimeve apo fryrje të faturave.

Qytetari Bajram Nura thotë se fatura e fundit është për 40 për qind më e lartë.

“Kishte qenë mirë që bile kësaj shtresës që është me ndihma, gati të gjithë jemi pa ndihma. Unë jam pensionist, me atë pension që e kam as barnat për vete nuk po mundem t’i paguaj, është mirë të bëhet një zgjidhje. Kështu nuk është mire”, tha ai.

Qytetari Ramadan Bulliqi shprehet i pakënaqur.
“Tash është sezoni i dimrit, nuk po e di çfarë, a kemi harxhuar ne më shumë apo nuk e di çka, unë nuk jam i kënaqur. Për shkak të standardeve, rrogat i kemi të ulëta, e janë shtrenjtë”, u shpreh ai.

Por nga KESCO kanë bërë të ditur se rritja e faturave është rezultat i rritjes së konsumit, sidomos për konsumatorët që ngrohen me energji elektrike.

“Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike. Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje”, tha KESCO.

Në prill të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte marrë vendim për strukturën e re tarifore duke rritur çmimin e energjisë për 15 për qind.

E nga ky institucion kanë thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga konsumatorët në lidhje me faturat e muajit dhjetor.

“ZRRE-ja ka një proces për ankesat e konsumatorëve që konsumatorët e përdorin gjatë gjithë kohës për zgjidhjen e çështjeve në lidhje me leximin e njehsorëve, faturimin, dhe çështje të tjera. Aktualisht ZRRE-ja nuk ka pranuar ankesa zyrtare te konsumatorëve ne lidhje me faturat e muajit dhjetor 2023”.

E Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të nisë hetimin mbi dyshimet e ngritura nga qytetarët.

“Ne përveç se i kemi kundërshtuar ne iu kemi bërë thirrje dhe institucioneve përgjegjëse, përfshirë dhe Prokurorinë e shtetit që realisht me urgjencë të nisin hetimet dhe të shqyrtoj më në saktësi se si ka ardhur deri te kjo fryrje enorme elektrike, shtuar këtu faktin që nuk ka pasur rritje të çmimeve të energjisë elektrike , e kësaj i ndihmon fakti që edhe koha, domethënë se nuk ka qenë edhe aq ftoftë që do te mund qytetarët të shfrytëzonin më tepër energji e që do të mund të qonte tek rritja e konsumit të energjisë elektrike”, theksoi Calentina Demolli nga KMDLNJ.

Reagime ka pasur edhe nga partitë opozitare, të cilat kanë akuzuar Qeverinë se po “godet” familjet në kohë inflacioni e varfërie. Sipas tyre, kryeministri Kurti po shpërndan me një dorë e po i grabit me të dy duart.

“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare. Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

E, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se çmimi i rrymës është rritur dy herë gjatë mandatit të Kurtit.

“Çmimi i energjisë elektrike është rritë dy herë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II dhe sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pritet të ketë rritje të çmimit prapë në fillim të vitit 2024…Qytetarët sot paguajë dyfishin e asaj çka kanë paguar më herët. Rreth 130 milionë euro ka paguar Qeveria Kurti për energjinë e shpenzuar nga katër komunat veriore”, tha ajo.

Ndërsa, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se Kosova po shkon në situatë alarmante.

“Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro. Kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve. Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart. Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë. Turp!”

KEDS dhe KESCO kanë kërkuar që të mos politizohet çështja e tarifave të energjisë elektrike.