2.800 xhami ekzistojnë në Gjermani dhe 5,5 milionë myslimanë.
Para pak javësh vendimi që në Köln të lejohet thirrja e ezanit ka shkaktuar reagime të shumta. Disa e mbështesin, të tjerët janë të irrituar, përcjell albinfo.ch.
Fillimisht me shifrat: Në Gjermani jetojnë sipas të dhënave të Zyrës Federale të Migracionit rreth 5,5 milionë myslimanë. 2.800 xhami ekzistojnë, sipas hulumtimeve të gazetës „Die Zeit“ (2020), por vetëm çdo e dhjeta mund të identifikohet si xhami me kupolë e minare. Shumica janë të ashtuquajtura xhamitë e pasme, ku apartamentet apo hapësirat industriale janë kthyer në hapësira për falje. Në disa qytete në Gjermani dëgjohet për një kohë të caktuar thirrja e ezanit, si p.sh. Düreni. Xhamia më e madhe në Gjermani është ndërtuar në Köln, xhamia Ditib, me kupolë 35 metra të lartë dhe dy minare, ndërtimi i saj u shoqërua me shumë debate. Pikërisht ky qytet me një vendim të tij është vendosur në qendër të një debati për islamin në Gjermani – a duhet të dëgjohet thirrja e ezanit edhe në Köln, qytetin e tolerancës dhe multikulturalizmit dhe pse jo?
DW ka bërë një analizë:
Si nisi debati?
Në fillim të tetorit Bashkia e Kölnit miratoi një projekt model për të lejuar xhamitë e Kölnit të ofrojnë thirrjen e ezanit. Projekti është i kufizuar për dy vjet, për zbatimin e tij janë vendosur rregulla të forta, si p.sh., thirrja e muezinit lejohet vetëm të premteve, në një orar të caktuar nga ora 12:00-15:00 dhe maksimalisht vetëm 5 minuta, po ashtu thirrja e muezinit nuk duhet të kalojë kufirin e vendosur për vëllimin e zërit. Fqinjët rreth xhamisë duhet të njoftohen me fletëpalosje më parë. Komuniteti duhet të emërojë një person përgjegjës që të trajtojë pyetjet e qytetarëve. Kur e prezantoi projektin kryetarja e bashkisë së Kölnit, Henriette Reker tha, se me këtë projekt model „iu përgjigjemi interesat të drejta fetare të myslimanëve në Gjermani“. Ajo e vlerësoi projektin si shenjë të pranueshmërisë së dyanshme të fesë dhe mbrojtjes së lirisë fetare të garantuar me kushtetutë.
Edhe përfaqësues të fesë islame e mirëpritën vendimin. Murat Sahirnaslan, drejtor i Forumit të Xhamive të Kölnit, qytet me 35 xhami, tha se „aq lart sa dëgjohen këmbanat e kishës nuk do të jetë, por nga ana simbolike mendoj se është një hap përpara.“ Kreu i Këshillit Qendror të Myslimanëve, Aiman Mazyek, e shikon thirrjen e ezanit si pjesë integrale të faljes myslimane dhe në shumë vende europiane e SHBA si të vetëkuptueshme. „Kölni dërgon një sinjal të tolerancës dhe diversitetit në botë“, citon agjencia e lajmeve dpa, Mayzek. Ai kërkon që kjo pjesë e besimit të mos futet në debate politike.
Por pikërisht kjo ka ndodhur. Ngritja e një xhamie apo thirrja e ezanit polarizon menjëherë shoqërinë në Gjermani. Partia populiste e djathtë AfD e politizon menjëherë çështjen duke ngritur alarmin e islamizimit.
Megjithëse islami de myslimanët konsiderohen tanimë pjesë e Gjermanisë, kur vjen puna tek dukshmëria publike e simboleve të islamit, gjermanët duket se janë ngurrues. Se sa këtë e bën të qartë një sondazh i fundit përfaqësues i Institutit të Opinionit, Civey, me porosi të gazetës „Bonner General Anzeiger“. Sipas tij dy të tretat e të anketuarve e refuzojnë që thirrja e ezanit në Gjermani të dëgjohet aq vetëkuptueshëm sa ç’dëgjohen këmbanat e kishës. Në hulumtimin e Civey, 64% e të pyeturve nuk duan ta dëgjojnë atë „aspak“. Me 98% shumica prej tyre janë përkrahës të AfD-së. Por edhe 88% e katolikëve e 82% e protestantëve i janë përgjigjur negativisht pyetjes, sipas dpa.
Thirrja „Allahu akbar“ irriton
Që thirrja e ezanit të dëgjohet njësoj si këmbanat e kishës, nuk është parashikuar as me projektin e Këlnit. Megjithatë lejimi i saj e ka ndezur debatin në mediat sociale. Madje në twitter hashtagu #Muezinruf është kthyer në trend. Kundërshtarët e lejimit të thirrjes së ezanit flasin për humbjen e identitetit gjerman, islamizimin e Gjermanisë dhe një tolerancë të kuptuar gabimisht. „Këtu nuk bëhet fjalë për një këmbanë neutrale, por për një besim fetar të trumbetuar në mënyrë ekskluzive“, shkruan një person në twitter. Kurse një tjetër që fillimisht shpreson që kryetarja e bashkisë së Kölnit të ketë një vilë në krah të xhamisë e mbyll postimin me „Jo tolerancë intolerancës!“
Me kritika e priti vendimin edhe sociologja Necla Kelek, e cila për gazetën „Bild“ tha, se kur thirret „Allahu Akbar“ bashkohen burrat që i kanë lënë gratë në shtëpi, gra që nuk duhet të kenë një vend në publik, që sipas burrave të tyre duhet të mbulohen. Sipas saj me thirrjen e ezanit proklamohen slogane fetare si Allahu Akbar. „Edhe terroristët thërrasin Allahu Akbar. Në të vërtetë Allahu Akbar duhet ndërkohë të ndalohet në fjalorin tonë, sepse përdoret nga islamistët, terroristët, atentatorët“.
Kurse politikani i CSU-së, Michael Kuffer e quan tërësisht të gabuar barazimin e thirrjes së ezanit me këmbanat e kishës. „Ky është një kuptim i gabuar i liberalizmit, integrimit. Për mua kjo është katastrofale. Nëse e vazhdojmë këtë rrugë do vazhdojmë të tallemi nga Ditib.“
Një nga kritikat kryesore lidhet me Ditib, organizatën që mbledh 900 komunitete myslimane në Gjermani dhe që ështëw nën varësinë e autoritetit fetar në Turqi, e cila është besnike e Erdoganit. Lejimi i thirrjes së ezanit për ish-presidentin e Gjykatës Kushtetuese të Landit NRW, Renani-Veriore Vestfali, Miachel Bertram „është një triumf politik i klasit të parë“ për Erdoganin. Ditib akuzohet në Gjermani se keqpërdor strukturat për spiunimin e kundërshtarëve politikë të Erdoganit.
Për publicistin e Kölner Stadt Anzeiger, Niels Altenmüller „pohimi publik i besimit tek Allahu si „më i madh“ dhe „zoti i vetëm“, edhe nëse nuk është e kuptueshme për këdo në arabisht, mund të kuptohet si një pohim agresiv dhe nënvlerësues ndaj besimeve të tjera fetare“.
Sociologja Necla Kelek shikon tek thirrja e ezanit proklamim të sloganeve fetare si Allahu Akbar. Ko thirrje përdoret edhe nga terroristët, kritikon ajo.
Kontribut bashkëjetese mes feve
Nëse këmbanat e kishës shihen si sinjale neutrale që japin edhe informacion për orën, thirrja e ezanit shihet nga kritikët si thirrje fetare e kënduar dhe trajtim me preferencë i myslimanëve. Por kjo thirrje nuk ka pse të tingëllojë e huaj, qetësojnë studiesit e islamit, Angelika Neuwirth dhe Dirk Hartwig. Për ta shohin si këmbanat e kishës, thirrja e ezanit apo tingulli hebraik i bririt, Shofar janë të afërta. Sipas tyre në një ambient mysliman thirrja e ezanit shihet „e natyrshme“, ndryshe nga Gjermania „ku islami hyri me vonesë dhe gjeti marrëdhënie laike.“ Ekspertët e koranit thonë se „thirrjes impresionuese Allahu Akbar i përgjigjet në krishtërim formula po aq emfatike e trinitetit apo në fenë hebraike theksimi i marrëdhënies unike dhe kolektivisht ekskluzive me zotin: askush nuk është si zoti ynë, askush nuk është si mbreti ynë, askush si shpëtimtari ynë“, citon dpa studiuesit.
Është e panevojshme që nga një vendim që në thelb është zbatim konsekuent i lirisë bazë fetare të ndizet një debati kulturor, dhe ka diçka jodinjitoze që të kalohet në „një duel infantil se kush ka zotin më të madh“, është i mendimit publicisti, Oliver Görtz i Kölner Stadt Anzeiger. „Thirrjet e ezanit as nuk do të thonë fund i perëndimit as islamizim i Kölnit. Ato mund të jenë një hap më tej për bashkëekzistencën e feve në një shoqëri multikulturore. Rreth 15% e qytetareve e qytetarëve të Kölnit janë myslimanë, 46% prej tyre janë të krishterë. Dhe kush nuk do të dëgjojë aspak thirrjen e ezanit le t’i mbyllë për pesë minuta dritaret.“
Nëse kundërshtarët e lejimit të thirrjes së ezanit do t’i mbyllin dritaret nuk dihet, sepse ende asnjë nga xhamitë e Kölnit nuk e ka paraqitur kërkesën për thirrjen e ezanit. DW