Qytetit të Shtimes, vazhdon t’i mungoj stacioni i autobusëve

Nga Florent SEFERI

“Gjatë mandatit vijues, stacioni i autobusëve do të ngritet… në vitin 2011 do të përfundoj.” kështu thoshte kryetari i komunës së Shtimës, Naim Ismajli, në debat, në emisionin “Jeta në Kosovë”, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në vitin 2009. Por si duket Ismajlit nuk i mjaftuan mbi një dekadë t’a realizoj këtë premtim të kahmotshëm.

Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Halil Halili, thotë se duhet të gjendet një lokacion ku mund të ndërtohet ky stacion. Mirëpo Halili tregohet skeptik mbi këtë çështje, duke ngritur pyetje se a është i arsyeshëm një ndërtim i stacionit të autobusëve, duke e parë si barrë për buxhetin e kësaj komune.

Megjithse Halili është i vetëdijëshm se ky ka qenë premtim i kryetarit Ismajli.
“Para se të ndërtohet ky stacion, duhet të shihet arsyeshmëria. Fjalën e fundit për këtë çështje do ta jap kuvendi komunal.” tha Halili.
Halili shton se ende nuk ka një hulumtim të saktë mbi koston se sa mund t’i kushtoj komunës, ky projekt.

Këtë çështje e sheh ndryshe kryetari i degës së LDK-së në Shtime, Kadri Emini i cili thotë se mjafton të dilet në ora 18:00 në qendër të qytetit e të shifet se çfarë kaosi bëhet nga nxënësit që presin mjetet e udhëtimit.
“Përgjegjësinë direkte e ka kryetari aktual Naim Ismajli.” thotë Emini.|

Ndërsa Andi Zeqiri, banor i kësaj komune, mendon se komunës së Shtimës i duhet një stacion i tillë, pasiqë qytetarët nuk dijnë ku të orientohen, e më e vështirë bëhet gjendja për qytetarët e komunave tjera të cilët vijnë në Shtime e nuk kanë ide se ku duhet pritur autobusët.
“Pa dyshim që një stacion i autobusëve do t’ia lehtësonte qytetarëve të Shtimës udhëtimin dhe njëkohësisht do ta bëntë komunikacionin më të lirë.” tha Zeqiri.
Vlen të cekët se momentalisht, qytetarët të cilët duan të udhëtojnë për në Prishtinë duhet të presin linjën nga Prizreni e cila ndalet tek “parku i qytetit” e që disa qytetarë e njohin si “stacioni i Prishtinës”.
Ndërsa qytetarët të cilët duan të udhëtojnë për në Prizren, duhet të presin përball një marketi të njohur si “Eli-ab”. Autobusët të cilët udhëtojnë për në Ferizaj, vendqëndrimin e kanë në një hapsirë të kontrolluar nga një pompë e benzinit.

Gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2009, drejtori i tanishëm i Shërbimeve Publike, Halil Halili, ishte kandidat për kryetar të Shtimës, nga radhët e Partisë Social Demokrate, dhe atëkohe Halili iu premtonte qytetarëve se nëse ai bëhet kryetar do t’a ndërtoj një stacion të autobusëve.